✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Berisha thirrje Veliajt dhe Spiropalit: Tregoni çfarë dini për Ramën dhe Ballukun

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që të zbulojë publikisht gjithçka që di për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij. Deklarata vjen në një kohë kur përplasjet mes Veliajt dhe kreut të qeverisë janë shtuar, ndërsa në skenën politike është përfshirë edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Gjatë një bashkëbisedimi online me ndjekësit, Berisha deklaroi se Veliaj dhe Spiropali disponojnë informacione për atë që ai e cilësoi si korrupsionin e Edi Ramës dhe zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas kreut të PD-së, ata duhet t’i bëjnë publike këto informacione dhe të kontribuojnë në largimin e qeverisë nga pushteti.

“Erion Veliaj, nëse do të kontribuojë, le t’u thotë shqiptarëve gjithçka di për Edi Ramën”, u shpreh Berisha, duke shtuar se, sipas tij, akuzat ndaj kryeministrit janë shumë më të rënda se ato që lidhen me persona të tjerë politikë.

Kreu i opozitës theksoi se nuk e konsideron Veliajn një rrezik ekzistencial për Shqipërinë, pavarësisht situatës së tij ligjore, ndërsa kujtoi se PD ka protestuar dhe ka kërkuar që ai të përballet me drejtësinë.

Berisha bëri gjithashtu thirrje për bashkimin e të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në largimin e Ramës dhe Ballukut nga pushteti. Ai e cilësoi situatën si një betejë për të ardhmen e vendit dhe paralajmëroi për atë që e përshkroi si zbrazjen e Shqipërisë nga largimi i qytetarëve.

Advertisement