Politike
I “flaku” në rrugë/ Rama konfirmon përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së për Tiranën, kreu i qeverisë iu referua të dyve si “të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”, duke e bërë të qartë se vendimi për largimin e tyre mbetet në fuqi.
Të shtunën e kaluar, Rama propozoi përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës, por Asambleja nuk e votoi këtë kërkesë. Mbledhja në Gjirin e Lalzit u shoqërua edhe me replika mes kryeministrit dhe ish-kryetares së Kuvendit, ndërsa në mbështetje të Spiropalit dolën Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan largimin e saj nga forumet drejtuese të partisë.
Në fjalën e tij, Rama komentoi edhe situatën në Bashkinë e Tiranës dhe reagimet e Erion Veliajt nga burgu. Ai kritikoi atë që e cilësoi si ndërhyrje në vendimmarrjen e bashkisë përmes komunikimeve dhe shkresave të firmosura nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, të cilin e identifikoi si një nga dy personat e përjashtuar nga PS-ja.
Kryeministri paralajmëroi se nuk do të tolerojë më drejtues apo punonjës të Bashkisë së Tiranës që, sipas tij, veprojnë në kundërshtim me përgjegjësitë institucionale dhe politike. Ai deklaroi gjithashtu se do të ketë masa të ashpra politike ndaj kujtdo që zbaton atë që e cilësoi si një përpjekje për të ushtruar presion ndaj punonjësve të bashkisë.
Edi Rama: Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak, dhe të tjerë drejtues e punonjës të bashkisë së Tiranës pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit, nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga 2 të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi.
Nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe kësaj familje si e ëma e Zeqos në majë të thanës. E përsëris, nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe bën, por uroj me gjithë zemër që të kuptojë që është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe PS-në. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familje, qofshin shërbëtorë politikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës. E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për eurinë e punëve. Këtë do ta zgjidhim në 9 maj me fitoren në ditën e madhe të Europës.