Politike
Nga Beverly Hills në Dubai/ Bardhi publikon shifrat: Balluku shpenzoi 69 mije € në operacione plastike
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike pretendon se zv.kryeministrja ka shpenzuar këtë shumë për ndërhyrje kirurgjikale dhe estetike në klinika jashtë vendit, pa i deklaruar pagesat sipas përcaktimeve ligjore.
Në një denoncim publik, Bardhi pretendon se Balluku ka kryer ndërhyrje në klinikat e një kirurgu plastik me aktivitet në Beverly Hills, Miami, Dubai dhe Milano. Sipas tij, shpenzimet arrijnë në rreth 69 mijë euro, ndërsa ai ngre pikëpyetje mbi burimin e parave dhe mënyrën e deklarimit të tyre.
Në reagimin e tij, deputeti demokrat i lidh këto pretendime edhe me pasuritë e zv.kryeministres, duke përmendur dy vila me vlerë të pretenduar prej 1.8 milionë eurosh. Bardhi kërkon që të verifikohet nëse këto shpenzime janë deklaruar dhe nga kanë ardhur fondet për kryerjen e tyre.
Ai përdor edhe një krahasim me pensionet, duke pretenduar se shuma prej 69 mijë eurosh do të mjaftonte për të paguar pensionin mesatar të një qytetari për rreth 29 vite.
Në fund të reagimit, Bardhi drejton kritika ndaj SPAK-ut dhe kërkon llogaridhënie për atë që i cilëson si shpenzime të padeklaruara. Deri në këtë moment, në materialin e publikuar nuk paraqiten dokumente që të provojnë pretendimet, ndërsa nuk përfshihet as një reagim nga Belinda Balluku.