Politike
PAS PILAFIT TRIMAT DALIN NE MAL/ SHPERTHEN MYSLIM MURRIZI: ISHIN SI VESHKA MES DHJAMIT
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, duke i ironizuar për reagimet e tyre publike pas largimit nga funksionet drejtuese në Partinë Socialiste.
Sipas Murrizit, të dy kanë zgjedhur të flasin për problemet brenda mazhorancës vetëm pasi kanë humbur pozicionet që mbanin, ndërsa gjatë viteve kur ishin pjesë e strukturave të pushtetit kanë qëndruar të heshtur për vendimmarrjet e qeverisë.
Ai vuri në pikëpyetje edhe mënyrën se si është vendosur largimi i Spiropalit dhe Ndrecës nga forumet drejtuese të PS-së, duke ironizuar funksionimin e brendshëm të kësaj partie. Sipas tij, nuk ka pasur një votim të Asamblesë për këtë çështje, ndërsa vendimmarrja duket se është bërë sipas një modeli ku të gjithë ndjekin dhe duartrokasin vendimet e drejtuesit.
Murrizi u ndal veçanërisht te deklarata e Ndrecës se nuk do të ishte më i heshtur, si dhe te reagimet e Spiropalit. Ai i cilësoi këto qëndrime si një lloj “parimori pas pilafit”, duke argumentuar se parimet dhe kundërshtimet duhet të shprehen kur je ende pjesë e pushtetit, jo pasi humbet postin.
Në gjuhë të ashpër, ish-deputeti i PD-së akuzoi dy socialistët se për vite me radhë kanë përfituar nga pushteti dhe kanë heshtur për çështje që, sipas tij, kanë dëmtuar vendin. Ai përmendi tenderat, kultivimin e kanabisit dhe vendimmarrje të tjera të qeverisë, duke pretenduar se zyrtarët e mazhorancës kanë qenë në dijeni të veprimeve të njëri-tjetrit.
Murrizi parashikoi gjithashtu se, pavarësisht reagimeve të fundit, Spiropali do të vazhdojë të votojë në Kuvend në të njëjtën linjë me shumicën socialiste. Ai vuri në dyshim edhe pretendimet për kërcënime, duke i bërë thirrje që, nëse ka persona konkretë që e kanë kërcënuar, t’u drejtohet organeve të drejtësisë dhe të bëjë kallëzim.
Në këtë kontekst, Murrizi përmendi edhe SPAK-un, duke thënë se çdo kërcënim apo shpifje duhet të denoncohet me emra dhe fakte konkrete.
Në fund, ai e përshkroi mazhorancën si një “ndërmarrje”, ku sipas tij, zyrtarët e kanë ditur se çfarë ka bërë njëri-tjetri gjatë viteve të qeverisjes. Për të mbështetur këtë qëndrim, iu referua edhe deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për kultivimin e kanabisit në Shqipëri.