✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

SULLTANIT FILLUAN T’I BEJNE PYETJE/ SHKULLAKU SKANON PANIKUN E RAMES BRENDA PS-SE

Gazetari Armand Shkullaku e sheh ashpërsimin e përplasjeve brenda Partisë Socialiste si një shenjë të dobësimit politik të Edi Ramës dhe të frikës së kryeministrit nga humbja e kontrollit mbi partinë. Sipas tij, pavarësisht rezultatit zgjedhor dhe 87 mandateve që ka në dispozicion mazhoranca, Rama ndodhet në pikën më të dobët të karrierës së tij politike.

Në analizën e tij, Shkullaku e lidh këtë dobësim me protestat e fundit dhe me atë që e cilëson si thyerje të frikës së qytetarëve. Dalja masive e njerëzve në shesh, sipas gazetarit, ka dëshmuar një fuqi qytetare që deri pak kohë më parë dukej e pamundur, duke rrëzuar njëkohësisht imazhin e pathyeshmërisë që kryeministri kishte ndërtuar përmes propagandës dhe komunikimit publik.

Shkullaku thekson se, në këtë situatë, Partia Socialiste mbetet arma kryesore që Rama mund të përdorë për të ruajtur pushtetin dhe për të negociuar politikisht edhe në një moment dobësie. Për këtë arsye, sipas tij, kryeministri nuk mund të tolerojë asnjë zë brenda partisë që mund të vërë në diskutim autoritetin e tij.

Përplasjet me Elisa Spiropalin, Erion Veliajn dhe Plarent Ndrecën, gazetari i interpreton si pjesë të një përpjekjeje për të neutralizuar çdo figurë që mund të krijojë precedent kundërshtimi. Edhe pyetjet e disa deputetëve për transferimin e Veliajt apo për qëndrimin e mazhorancës ndaj protestave, sipas Shkullakut, kanë prekur një vijë të kuqe për kryeministrin: mundësinë që dikush brenda PS-së të guxojë t’i kërkojë llogari.

Ai vëren se Rama po e shfaq gjithnjë e më hapur këtë kontroll, duke iu referuar edhe raportimeve për gjuhën e ashpër dhe represive të përdorur në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë së PS-së, ku vendimi për përjashtimin e Spiropalit, sipas tij, u komunikua pa u vënë në votim.

Sipas Shkullakut, rreziku për Ramën nuk qëndron domosdoshmërisht te një revoltë e hapur brenda Partisë Socialiste, të cilën ai e konsideron pak të mundshme, por te krijimi i lëvizjeve të vogla që mund të dobësojnë bindjen se autoriteti i kryeministrit është i paprekshëm.

Në fund, gazetari ngre edhe një tjetër problem për mazhorancën: damkosjen kolektive të socialistëve si të korruptuar, pavarësisht përgjegjësisë individuale. Sipas tij, në klimën e krijuar brenda PS-së, nuk bëhet më dallim mes atyre që kanë abuzuar me pushtetin dhe atyre që nuk kanë kryer shkelje.

Advertisement