✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Radioja Publike Amerikane: Ish-avokati i Artur Shehut pranon falsifikimin e dokumenteve për tokën në Zvërnec

Të dielën NPR, rrjeti publik i radios në Shtetet e Bashkuara, i kushtoi çështjes së Zvërnecit një transmetim të gjatë nga korrespondenti i saj ndërkombëtar Rob Schmitz.

Reportazhi i titulluar Zhvillim luksoz është planifikuar në tokë që disa shqiptarë thonë se është e tyre, jo e Xhared Kushnerit kishte në qendër çështjen e pronësisë së tokës planifikuar për t’u zhvilluar në Zvërnec.

Përshkrimi i Artur Shehut

Sikurse Wall Street Journal më parë, NPR ndalet në akuzat për aktivitetet kriminale të Shehut.

NPR thotë se Shehu ishte emër i njohur në Vlorën e viteve 1990, kur qyteti ishte jashtë kontrollit të shtetit dhe “drejtohej nga banda në stilin e mafias”. Policia e Vlorës e njihte për pjesëmarrje të dyshuar në një organizatë kriminale që, sipas prokurorëve shqiptarë, trafikonte drogë dhe emigrantë drejt Evropës.

NPR thekson se Shehu u largua nga Shqipëria në 1999, pas asaj që policia shqiptare e përshkruan si një përplasje me armë me një bandë rivale.

Në 2001 mori azil në SHBA dhe më vonë shtetësinë. Sot është 60 vjeç dhe jeton në një vilë në Miami Beach.

Edhe banorët e Zvërnecit të intervistuar nga NPR flasin në mënyrë të ngjashme për Shehun.

Një banor shprehet se ai është “i përzier në punë të errëta”, ndërsa një tjetër thotë për NPR se fshatarët kanë “shumë frikë prej tij”. Një ekspert i pasurive të paluajtshme, i intervistuar nga NPR, e quan një “operator me lidhje të forta” që përpiqet me agresivitet ta ruajë tokën e marrë.

Pranimi i falsifikimit nga ish-avokati i Shehut

Kujtim Cakrani ka qenë avokati i Artur Shehut, shitësit të parcelës që sot lidhet me projektin e Kushnerit. Për NPR-në ai pranon se persona të autorizuar me prokurë nga Shehu kanë falsifikuar dokumente për këtë tokë.

Sipas tij, bashkëpunëtorët e Shehut falsifikuan një certifikatë trashëgimie, që e bënte të dukej sikur gjyshi i Shehut e kishte zotëruar tokën dhe ia kishte lënë atij.

Cakrani thotë se e la Shehun si klient sepse “ishte një çështje shumë e rëndë”. Sot ai përfaqëson rreth 30 të afërm të Shehut, që pretendojnë pronësinë mbi tokën.

NPR thotë se deklarata e Cakranit përputhet me dokumentet që ka siguruar nga gjykata: në to prokurorët shqiptarë kanë deklaruar se toka dyshohet të jetë fituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit.

Përfaqësuesi i Shehut për tokat dënohet për falsifikim

NPR raporton gjithashtu një zhvilim të rëndësishëm të ditëve të fundit që lidhet indirekt me Zvërnecin. Më 18 nëntor, Gjykata e Vlorës urdhëroi konfiskimin e disa pasurive në Ujin e Ftohtë, me vlerë rreth 16 milionë euro, të cilat i përkisnin Shehut, të afërmve të tij dhe palëve të treta tek të cilat ishin kaluar nga Shehu dhe familjarët e tij.

Për këtë çështje, gjykata e Vlorës dënoi me shtatë vjet burg, për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, Pëllumb Petritajn, avokatin e Artur Shehut, i cili ka përfaqësuar prej kohësh atë dhe familjen e tij në çështje pronash, përfshi pronat e kthyera në Zvërnec.

Skema e Ujit të Ftohtë, sipas vendimit, ishte kjo: një parcelë bregdetare prej 32 mijë metrash katrorë u regjistrua në 2009 në emër të tre trashëgimtarëve të familjes Shehu. Regjistrimi mbështetej te një vendim i Gjykatës së Rrethit të Vlorës i 14 majit 1996, që gjykata e vërtetoi si të falsifikuar.

Vendimi pretendonte të vërtetonte trashëgiminë dhe, sipas raportimit, falsifikimi përfshinte edhe përbërjen e trupit gjykues. Mbi këtë dokument u dha një vendim për kthim e kompensim pasurie në 2009 dhe u regjistruan hipoteka. Më pas toka u nda dhe u transferua te persona të tretë. Prokurorët thonë se kjo u bë për të fshehur origjinën e paligjshme.

Është pothuajse e njëjta metodë që Cakrani i përshkruan NPR-së për Zvërnecin: një dokument trashëgimie i falsifikuar që e bën Shehun pronar.

Sipas një hetimi të BIRN-it në 2017 për rreth 342 hektarë në Karaburun, Zvërnec dhe Palasë, të përfituar nga Shehu, avokati që ishte marrë me transaksionet ishte Petritaj. Vajzat e Petritajt figurojnë gjithashtu pronare të disa parcelave në Zvërnec, që janë objekt gjykimesh ende në vijim.

Petritaj dhe Shehu i kanë mohuar vazhdimisht akuzat. Avokati i Petritajt, Ferdinand Ndoja, e quajti vendimin të pavlefshëm dhe njoftoi ankim. Ai argumenton se nuk u provua që Petritaj kishte dijeni se vendimi i gjykatës ishte i falsifikuar.

Përgjigjet e palëve për NPR

Kushner i tha NPR-së se partneri i tij e bleu tokën nga një palë private, në një transaksion privat, dhe se avokatët e tij e verifikuan titullin.

Ndërsa zëdhënësja e kryeministrit Edi Rama dha një deklaratë me shkrim: nëse shitësi nuk ka pronësi të ligjshme, paratë “do të mbeten brenda Republikës së Shqipërisë”.

NPR thekson se këto dy përgjigje mbështeten tek e njëjta ide: kjo është një çështje mes subjekteve private. Por thekson se pranimi i Cakranit e vë këtë ide para një prove: nëse një titull pronësie është siguruar mbi një certifikatë trashëgimie të falsifikuar, atëherë nuk ka asnjë rëndësi se transaksioni ishte privat.

Çfarë mbetet pa u thënë

Ekspertët e pasurive të paluajtshme të cituar nga NPR thonë se vendimin përfundimtar për pronarin do ta japë një gjykatë shqiptare. Por ka pyetje që nuk i takon gjykatës t’u përgjigjet:

— Kush i kontrolloi titujt para se të jepeshin lejet e zhvillimit dhe para se të paguhej çmimi?

— Nëse certifikata e trashëgimisë rezulton e falsifikuar, çfarë ndodh me lejet e dhëna mbi këtë tokë?

— Kujt do t’i takojnë paratë e paguara, siç sugjeron zëdhënësja e Ramës, dhe kush do t’ua kthejë tokën banorëve?

Sipas NPR-së, kryeministri Rama ka thënë se projekti do të vazhdojë.

Transmetimi i NPR-së mbyllet me një shënim që e kthen çështjen në SHBA. Kongresmeni Xhemi Raskin, kryetari i ardhshëm i Komitetit të Çështjeve Juridike të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se resorti i planifikuar nga Kushner në Shqipëri është një nga disa marrëveshjet që kanë ngritur dyshimet e komitetit për konflikt interesi.

Kushner i ka ndarë kohën e tij mes politikës së jashtme dhe biznesit dhe kongresmenët dyshojnë se ai ka përfituar nga pozicioni i tij publik për interesa private.

Sipas NPR-së, hetimet ndaj Kushnerit mund të zgjerohen kur të mblidhet Kongresi i ri në janar 2027. – THEEXIT

Advertisement