✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Atentati ku mbeti i vrarë Selami Hasani dhe nipi i tij, makina e vjedhur 3 vite më parë në Suedi

Detaje të reja dalin nga hetimet për atentatin e dyfishtë në Fier, ku u vranë Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani. Autorët dyshohet se kishin organizuar me kujdes ekzekutimin, duke përdorur një automjet të vjedhur në Suedi, targa të dyshuara të falsifikuara dhe një arsenal prej katër armësh zjarri.

Automjeti tip “Volvo”, i cili u gjet i djegur në fshatin Dërmenas pas atentatit, rezulton të jetë denoncuar si i vjedhur në Suedi në vitin 2023. Sipas verifikimeve, makina kishte hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Morinës, nga Kosova.

Dyshime ka edhe për targat që mbante automjeti. Ato rezultojnë të prodhuara me material plastik dhe të mbivendosura, ndërsa dyshohet se ishin dubluar nga targat e një automjeti tjetër të së njëjtës markë, për të shmangur identifikimin.

Gjatë kontrollit në Volvo, policia sekuestroi katër armë zjarri, tre prej të cilave të pajisura me silenciator. Nga hetimet paraprake dyshohet se në automjet ndodheshin katër persona, ndërsa tre prej tyre mendohet të kenë zbritur dhe t’i jenë afruar murit rrethues të banesës së familjes Hasani.

Atentati ndodhi mëngjesin e së hënës, ndërsa Selami Hasani po punonte në oborr së bashku me nipin e tij. Ai humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Jakup Hasani u transportua në spital me tre plagë armësh zjarri, dy në bark dhe një në nofull. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai ndërroi jetë disa orë më vonë.

Advertisement