Politike
ADRIATIKU E KA NJE PLAN: FLORIANI ESHTE I VETMI QE DO TA RREZOJE RAMEN NE TIRANE
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i ka cilësuar përplasjet brenda Partisë Socialiste si një luftë të pastër për pushtet, ku palët nuk përballen për parime apo standarde politike, por për të mbrojtur pozitat dhe interesat e tyre.
Në një intervistë, Lapaj përdori një krahasim të fortë, duke i cilësuar konfliktet në mazhorancë si përplasje mes bandash kriminale, ku secila palë synon të eliminojë tjetrën për të mbijetuar. Sipas tij, në këtë konflikt nuk ka më rregulla apo standarde, por vetëm një betejë për dominim.
Ai kritikoi ashpër klasën politike shqiptare, duke deklaruar se partitë aktuale kanë dështuar ekonomikisht dhe se kjo klasë politike duhet të largohet.
Duke u ndalur te zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Lapaj deklaroi se Partia Socialiste mund ta humbasë kryeqytetin nëse opozita arrin të kapërcejë interesat dhe ambiciet personale. Sipas tij, fitorja është e mundur nëse drejtuesit opozitarë vendosin interesin publik mbi egot politike.
Lapaj përsëriti se nuk sheh mundësi për një koalicion me Sali Berishën, të cilin e konsideroi pjesë të së shkuarës, por propozoi një formulë tjetër bashkëpunimi: një kandidat të përbashkët dhe të pavarur, të përzgjedhur përmes sondazheve.
Sipas propozimit të tij, partitë e reja dhe qytetarët duhet të propozojnë emrat e tyre, ndërsa një kompani e pavarur sondazhesh të përcaktojë kandidatin që gëzon mbështetjen më të madhe. Ky emër, pavarësisht përkatësisë apo profilit politik, do të duhej të mbështetej nga të gjitha palët.
Në këtë proces, Lapaj la të hapur edhe mundësinë e përfshirjes së Florian Binajt, por theksoi se nuk duhet të ketë kandidatë të paracaktuar apo kushte mbi emrat.
Ai paralajmëroi se nëse opozita dështon të bashkohet për shkak të interesave personale, secili drejtues duhet të mbajë përgjegjësinë e vet për rezultatin e zgjedhjeve.
……………………..