✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Grabitja e rezidencës së princit William në Britani, zbardhen emrat kush janë 2 shqiptarët e arrestuar

Janë zbardhur identitetet e dy shqiptarëve të arrestuar në Britaninë e Madhe, të dyshuar për përfshirje në vjedhjen e vilës së Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk.

Mediat britanike bëjnë me dije se të arrestuarit janë identifikuar si Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci.

Sipas raportimit të gazetës britanike “The Sun”, dy shqiptarët dyshohet se kanë hyrë në pronën mbretërore Anmer Hall, e cila ndodhet në kompleksin e Sandringham Estate, një prej rezidencave private të familjes mbretërore britanike.

Njëri prej të arrestuarve raportohet se ishte emigrant i paligjshëm në Britani dhe kishte paraqitur më herët një kërkesë për azil, afati i së cilës kishte përfunduar. Për statusin e personit tjetër nuk janë bërë publike detaje.

Ngjarja është raportuar mbrëmjen e së hënës, më 23 nëntor, pas një denoncimi për lëvizje të dyshimta në territorin e pronës mbretërore.

Pas marrjes së njoftimit, policia britanike organizoi një operacion kërkimi, ku u angazhuan qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare. Pas kontrolleve, Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci u lokalizuan dhe u arrestuan brenda territorit të pronës.

overlay-cleverTë dy vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në zhvillim.
Ku ndodhej familja mbretërore në momentin e incidentit?

Policia e Norfolkut ka konfirmuar se në momentin e ngjarjes rezidenca Anmer Hall ishte e pabanuar. Princ William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në banesën e tyre në Windsor.

Anmer Hall iu dhurua çiftit mbretëror nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011 dhe përdoret kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve.

Ky nuk është incidenti i parë i sigurisë që përfshin pronat mbretërore britanike. Në tetor të vitit 2024, persona të maskuar hynë me forcë në territorin e Kështjellës Windsor dhe vodhën dy automjete nga një ndërtesë bujqësore.

Ndërsa në vitin 2021, një person i armatosur me hark dhe shigjetë u arrestua në ambientet e kështjellës. Ai u dënua më vonë me nëntë vite burg, pasi pranoi se kishte kërcënuar Mbretëreshën Elizabeth II.

Një tjetër rast i bujshëm daton në vitin 1982, kur një person arriti të depërtonte deri në dhomën private të Mbretëreshës Elizabeth II në Pallatin Buckingham, ndërsa ajo ndodhej në shtrat.

Advertisement