✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Politekniku mbushet me postera kundër qeverisë, studentët ironizojnë premtimet e pambajtura

Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës kanë zgjedhur një formë të veçantë proteste këtë të mërkurë, duke mbushur korridoret dhe dyert e fakulteteve me postera që denoncojnë problematikat në arsim, shëndetësi, ekonomi, investime publike dhe emigracion.

Përmes artikujve mediatikë, të dhënave nga raporte dhe deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë, studentët kanë rikthyer në vëmendje një sërë premtimesh që, sipas tyre, nuk janë realizuar. Mesazhet shoqëruese janë shkruar me dorë dhe kanë një përmbajtje ironizuese ndaj institucioneve dhe politikave qeveritare.

Një prej çështjeve të ngritura lidhet me shpenzimet për tenderat e Universitetit Politeknik, të cilat sipas të dhënave të publikuara në posterat e studentëve arrijnë në 47.23 milionë euro për tre vite, ose 56 milionë euro përfshirë TVSH-në. Në këtë kontekst, studentët ironizojnë kontrastin mes shpenzimeve dhe kushteve në universitet, duke shkruar: “Miliona euro tendera, po nuk na punon as Wi-Fi ‘FTI-student’”.

Një tjetër shqetësim është vonesa në ndërtimin e godinës së re për Fakultetin e Arkitekturës dhe atë të Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila ishte premtuar të vihej në dispozicion në fillim të vitit 2026. Përmes mesazheve “Ku është ky xhevahir sot?” dhe “Po godinën e arkitektëve tanë të ardhshëm, kush e ideon?”, studentët kërkojnë përgjegjësi për mosrealizimin e projektit.

Protesta prek edhe vështirësitë ekonomike të të rinjve, veçanërisht kostot e larta të qirave, çmimet e apartamenteve dhe mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme në konvikte. “Hëë, se sajohemi edhe këtë muaj!” dhe “Ndërtohet kryeqyteti, shpopullohet vendi!”, janë disa nga mesazhet e vendosura në ambientet e universitetit.

Në fokus është edhe emigracioni i profesionistëve të rinj. Duke iu referuar një studimi për tregun e punës në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, studentët evidentojnë se nga 2,822 profesionistë që janë larguar nga kompanitë e përfshira në studim gjatë një periudhe 12-mujore, 1,271 janë larguar për arsye emigracioni.

Studentët kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për premtimin e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë në Tiranë, vonesat në projektin hekurudhor Tiranë-Durrës dhe kostot që qytetarët përballojnë për shërbimet shëndetësore. “Sa breza duhet të kalojnë që të vijë treni?”, “Fund viti 2026, e akoma flasim a kemi ujë!” dhe “Shëndetësi falas?!?”, janë disa prej mesazheve të tjera.

Në posterat e studentëve trajtohen edhe largimi i mjekëve dhe infermierëve, detyrimi i studentëve të mjekësisë për të punuar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, si dhe akuzat për përdorimin e administratës arsimore në fushata zgjedhore. Një prej mesazheve më të drejtpërdrejta është “Arsimi nuk është shtab elektoral!”, i shoqëruar me fotografi të Ogerta Manastirliut, Benet Becit dhe Elisa Spiropalit në një ambient mësimor.

Pjesë e kësaj proteste janë edhe fotografi nga përplasjet mes policisë dhe protestuesve, të shoqëruara me mesazhe ironizuese si “Shoqërim me komoditet!” dhe “Ja vlen 2500 euro”.

Advertisement