Politike
BOMBA NË DOSJEN VELIAJ! GJKKO SHTYN VENDIMIN, ÇFARË PO NDODH PAS DYERVE TË GJYKATËS?
Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër shpalljen e vendimit për fraksionin e dosjes “Veliaj”, ku janë të pandehur 8 persona dhe 3 shoqëri tregtare. Seanca është caktuar të zhvillohet në orën 15:30.
Sipas njoftimit, gjykatës i nevojitet më shumë kohë për të shqyrtuar prapësimet me shkrim të dorëzuara nga palët. Në pritje të vendimit është edhe biznesmeni Elman Abule, i cili është paraqitur në ambientet e SPAK-ut pak para zhvillimeve të fundit.
Në pretencën e paraqitur më 3 qershor, SPAK kërkoi gjithsej 28 vite burg për gjashtë të pandehur, si dhe gjobitjen e tri shoqërive tregtare. Për Abulen, i cili ndodhet në arrest shtëpie dhe akuzohet për pastrim parash, prokuroria kërkoi 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 4 vite e 8 muaj. Ai është i vetmi për të cilin SPAK kërkoi vuajtjen e dënimit në burg.
Sipas akuzës, përmes kompanisë “Rametal”, Abule dyshohet se ka ndihmuar në qarkullimin e parave drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, duke përdorur fatura që hetuesit i konsiderojnë fiktive.
Vendimi përfundimtar për këtë fraksion të dosjes do të shpallet nesër, pasi gjykata të ketë shqyrtuar prapësimet e palëve.