Aktualitet
Meta hap “kutinë e pandorës”! Kërkon kushtetutë të re, qeveri teknike dhe president nga populli
Ilir Meta kërkon të ndryshohet Kushtetuta dhe të përmbyset mënyra si funksionon politika shqiptare. Kreu i Partisë së Lirisë ka dalë me katër propozime që, sipas tij, mund t’i japin fund asaj që e quan “regjimi i arbitraritetit ekstrem”.
Meta kërkon rikthimin te Kushtetuta përpara ndryshimeve të vitit 2008, lista 100% të hapura për deputetët dhe këshilltarët bashkiakë, si dhe një qeveri teknike të sanksionuar në Kushtetutë përpara çdo procesi zgjedhor. Në listën e propozimeve përfshihet edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli.
Në një reagim në Facebook, Meta i lidh ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 me atë që e konsideron përqendrimin e pushtetit dhe krizën politike në vend. Ai pretendon se ky sistem ka detyruar mbi një milion shqiptarë të largohen nga Shqipëria dhe ka zhytur në varfëri ekstreme gjysmën e popullsisë që jeton këtu.
Por kreu i Partisë së Lirisë nuk ndalet vetëm te propozimet. Ai u drejton edhe një paralajmërim politik kundërshtarëve të këtyre ndryshimeve, duke deklaruar se kush nuk i pranon, sipas tij, i shërben sistemit aktual.