Rajon
Shembet më tej “perandoria” e Vuçiç, të tjerë nga rrethi i tij bie në pranga
Një skandal financiar prej afro 390 milionë eurosh po trondit Serbinë dhe hetimet po shtrihen gjithnjë e më shumë në rrethin e biznesmenit Davor Matsura, i cili ndërtoi perandorinë e tij financiare gjatë viteve të qeverisjes së Aleksandër Vuçiçit.
Dy persona të tjerë janë arrestuar në kuadër të hetimeve për Bankën Alta. Bëhet fjalë për Dubravko Matsurën, vëllain e pronarit të bankës, dhe Tatjana Bundalon, drejtoreshën e kompanisë Alta Pay Group. Të dy janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për përfshirje në skemën e përvetësimit të parave.
Sipas medias investigative serbe KRIK, Dubravko Matsura pritet të merret në pyetje nga Prokuroria për Krimin e Organizuar, ndërsa për Tatjana Bundalon po mblidhen dokumente për të përcaktuar rolin e saj të mundshëm në çështje.
Më herët, në pranga përfunduan edhe pronari i Bankës Alta, Davor Matsura, dhe dy bashkëpunëtorë të tij, të cilët vijojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Sipas prokurorisë serbe, Matsura dyshohet se ka përvetësuar më shumë se 45 miliardë dinarë, rreth 390 milionë euro, me ndihmën e dy punonjësve të departamentit të thesarit të bankës.
Dokumentet e siguruara nga KRIK zbulojnë një skemë ku vetëm një pjesë e parave dyshohet se është tërhequr fizikisht nga kasaforta. Rreth 17 milionë euro dyshohet se janë nxjerrë pa u pasqyruar në dokumentacionin bankar. Pjesa tjetër lidhet me fondet e kompanisë së këmbimit valutor Alta Pay, të cilat rezultonin të depozituara në thesarin e bankës, por që sipas hetimeve dyshohet se janë mbajtur nga Matsura.
Në këtë çështje pritet të pyetet edhe guvernatorja e Bankës Kombëtare të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviç, e cila figuron në listën e dëshmitarëve. Ndërkohë, Davor Matsura i ka mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje.
Banka Alta humbi licencën pas përkeqësimit të gjendjes financiare dhe rrezikimit të depozitave të klientëve. Administrimi i saj i është kaluar Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ndërsa klientët mund të tërheqin deri në 50 mijë euro. Licenca iu hoq edhe kompanisë së parave elektronike të Matsurës.
Por hetimet nuk ndalen vetëm te paratë që dyshohet se janë përvetësuar. Në fokus është edhe mënyra se si Matsura ndërtoi dhe zgjeroi aktivitetin e tij gjatë dekadës së fundit, në periudhën kur në pushtet ishte Partia Progresive Serbe e Aleksandër Vuçiçit.
Nga një pikë këmbimi valutor në Zemun në vitin 2008, ai u shndërrua në një biznesmen me aktivitet në sektorin financiar dhe tregtar. Zgjerimi mori hov në vitin 2016, pas marrjes së autorizimit për arkëtimin e faturave. Më pas bleu Jubmes Bank, që u shndërrua në Bankën Alta, si dhe rrjetin e supermarketeve Idea.
Sipas KRIK, bizneset e tij përfituan edhe kontrata të rëndësishme shtetërore, disa prej tyre pa procedura tenderimi. Këto zhvillime rikthejnë pikëpyetjet mbi marrëdhëniet mes biznesit dhe institucioneve shtetërore në Serbi, si dhe mbi mënyrën se si u mbikëqyr zgjerimi i perandorisë financiare të Matsurës.