✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

EMRAT/ Grabitën rezidencën e Princit William në Angli, publikohen fotot e dy shqiptarëve të akuzuar

Dy shqiptarë kanë përfunduar përpara drejtësisë britanike, të akuzuar për hyrje të paligjshme dhe grabitje në rezidencën e Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton.

M.D, 34 vjeç, dhe A.N, 32 vjeç, u paraqitën të mërkurën në Gjykatën e Magjistraturës në Norwich, ku u njohën me akuzat për një ngjarje të dyshuar të ndodhur të hënën në Anmer Hall, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk.

Sipas prokurorisë, dy shqiptarët, së bashku me një person të tretë ende të paidentifikuar dhe të paarrestuar, aktivizuan sensorët e lëvizjes jashtë rezidencës pak para orës 18:00. Më pas, dyshohet se përdorën një tub kullimi për t’u ngjitur në ndërtesë dhe për të hyrë në dhomën e zhveshjes.

Prej aty pretendohet se morën një orë dhe gjashtë palë mansheta, mes tyre edhe një palë që gjyqtari i përshkroi si mansheta të Dukës së Edinburgut.

Por largimi nuk shkoi sipas planit. Një punonjës i pronës mbretërore, i cili po patrullonte me pajisje termike, zbuloi lëvizjet e tyre. Dy të dyshuarit u gjetën në një zonë pyjore pranë rezidencës rreth orës 19:15. Sipas raportimit, në momentin e kapjes ata nuk kishin këpucë në këmbë.

Të dy janë mbajtur në paraburgim, ndërsa seanca e radhës është shtyrë për javën e ardhshme, në pritje të autorizimit të Prokurorit të Përgjithshëm britanik për akuzën e hyrjes pa leje në një zonë të mbrojtur. Asnjëri prej tyre nuk është pyetur ende nëse pranon apo mohon akuzat.

Anmer Hall është rezidenca me 10 dhoma gjumi që Mbretëresha Elizabeth II ia dhuroi çiftit mbretëror në vitin 2011, pas martesës së tyre. Në momentin e ngjarjes së pretenduar, në banesë nuk ndodhej asnjë prej anëtarëve të familjes mbretërore.

Advertisement