Sport
Bayerni bie në Francë, Interi dhe Liverpooli triumfojnë, Muriqi bën heroin dhe i jep fitoren Fenerbahces
Një mbrëmje e mbushur me gola, emocione dhe rezultate surprizë në fazën e ligës së Champions League. Interi dhe Liverpool regjistruan fitore bindëse, Bayern Munich pësoi një humbje të papritur në Francë, ndërsa Vedat Muriqi ishte sërish protagonist absolut me Fenerbahçen.
Në “Parc des Princes”, PSG-ja dhe Roma dhuruan spektakël, duke u ndarë në barazim 2-2. Italianët kaluan në avantazh që në minutën e 5-të me Mario Hermoson, pas asistit të Matias Soule. Francezët rikthyen baraspeshën në minutën e 32-të me Ilya Zabarnyin, i cili realizoi me kokë pas një goditjeje këndi.
Në pjesën e dytë, Ousmane Dembele kaloi vendasit në avantazh nga pika e bardhë në minutën e 62-të, por Donyell Malen u kundërpërgjigj në minutën e 78-të, gjithashtu me penallti, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Me të njëjtin rezultat u mbyll edhe përballja mes Sportingut dhe Manchester United. Luis Suarez kaloi portugezët në avantazh nga pika e bardhë, pasi kishte humbur më herët një penallti.
“Djajtë e Kuq” përmbysën rezultatin në harkun e dy minutave në fillim të pjesës së dytë, falë dopietës së Bruno Fernandes. Portugezi realizoi fillimisht me penallti në minutën e 48-të, ndërsa në të 50-ën shënoi një gol spektakolar nga distanca.
Luis Suarez riktheu baraspeshën në minutën e 80-të, ndërsa në kohën shtesë Manchester United mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit të Youri Tielemans me kartonin e dytë të verdhë.
Rezistenca e gjermanëve u thye në minutën e 57-të, kur Petar Sucic realizoi nga pika e bardhë, pas një penalltie të akorduar për prekje të topit me dorë dhe të konfirmuar nga VAR-i.
Në minutën e 74-t, Lautaro Martinez vulosi fitoren e zikaltërve me një goditje të fuqishme, pas një asistimi të Federico Dimarco-s.
Rezultati më surprizues erdhi nga Franca, ku Lille mposhti Bayern Munich me rezultatin 2-1, duke përmbysur disavantazhin brenda tre minutash.
Bavarezët kaluan të parët në avantazh me Dayot Upamecanon në minutën e 15-të, por vendasit reaguan në pjesën e dytë. Ayase Ueda barazoi në minutën e 62-të, ndërsa në të 65-ën një autogol i Aleksandar Pavlovic kompletoi përmbysjen e francezëve.
Me këtë sukses, Lille ngjitet në kuotën e 7 pikëve, ndërsa Bayern mbetet me 8 pikë, duke humbur terren në garën për kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ave të finales.
Vedat Muriqi vijon të lërë gjurmë në Champions League. Pas golit ndaj Liverpool, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës gjeti sërish rrugën e rrjetës, këtë herë përballë Shakhtar Donetsk.
“Pirati” realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 56-të, duke i dhuruar Fenerbahçes fitoren minimale 1-0 dhe tri pikë të çmuara.
Muriqi kishte arritur të shënonte edhe në minutën e 17-të, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje. Sulmuesi shqiptar nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë u kthye në heroin e skuadrës turke.