Aktualitet
The Atlantic dhe Le Monde ‘trokasin’ në SPAK për Sazanin dhe Zvërnecin/ Prokuroria ua pret shkurt: Çështja nën hetim
Revista dhe media të njohura ndërkombëtare kanë kthyer vëmendjen nga Shqipëria, duke iu drejtuar SPAK-ut me kërkesa zyrtare për informacion mbi hetimet që lidhen me transaksionet e pronave në Zvërnec dhe projektet e zhvillimit luksoz në ishullin e Sazanit.
The Atlantic, Le Monde, Channel 5 News dhe Le Figaro kanë kërkuar informacione shtesë, dokumente dhe mundësi intervistash me përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme.
Revista amerikane The Atlantic ka kërkuar një intervistë me një prokuror të SPAK-ut për të diskutuar mbi projektet në Zvërnec dhe Sazan, si dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Por përgjigjja e Prokurorisë ka qenë se, për shkak të ngarkesës dhe angazhimeve institucionale, intervista nuk mund të organizohej.
Edhe gazeta franceze Le Monde ka kërkuar takim me prokurorin që po heton çështjen e pronave në Zvërnec. SPAK është përgjigjur se hetimet janë në fazën paraprake dhe se veprimet hetimore mbulohen nga sekreti hetimor.
“Përveç informacionit që është publikuar në njoftimin për shtyp, SPAK nuk ka asgjë tjetër për të shtuar në këtë fazë”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Ndërkohë, televizioni britanik Channel 5 News ka kërkuar një kopje të anonimizuar të një aktakuze prej 200 faqesh dhe vendimeve për sekuestrimin e pasurive të nxjerra në qershor 2026, në lidhje me shtetasin A.Sh. Edhe kësaj kërkese SPAK i është përgjigjur duke iu referuar konfidencialitetit të hetimeve.
Një kërkesë të ngjashme ka paraqitur edhe Le Figaro, e cila ka kërkuar të dijë nëse ka zhvillime të reja në hetimet për transaksionet e tokave në Zvërnec.
Për të gjitha kërkesat, SPAK ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke iu referuar fazës paraprake të hetimeve dhe njoftimit për shtyp të datës 12 qershor 2026.