✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Dëbora zbardh veriun dhe juglindjen, ARRSH publikon akset ku duhet të bëni kujdes

Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës zonat veriore dhe juglindore të Shqipërisë, duke sjellë prezencë dëbore në disa prej akseve rrugore të vendit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se pavarësisht reshjeve, të gjitha akset rrugore janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.

Kontraktorët janë angazhuar në terren me mjete dhe punonjës për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës, me qëllim shmangien e ngricave dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit.

Sipas ARRSH-së, në Rajonin Verior reshje dëbore janë regjistruar në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Hani i Hotit–Vermosh, Bogë–Theth, Rrëshen–Shpal–Qafë Benë, Fierzë–Bajram Curri, Bulqizë–Peshkopi, Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Krumë dhe Dedaj–Razëm, mes akseve të tjera.

Ndërsa në juglindje, dëbora ka prekur akset Qukës–Qafë Plloçë, Qafë Plloçë–Qafë Thanë, Librazhd–Fushë Studen, Korçë–Dardhë dhe Zëmblak–Goricë.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të pajisen me goma dimërore dhe të përdorin zinxhirë në rrugët ku ka prezencë dëbore.

ARRSH thekson se puna në terren vijon pa ndërprerje për të mbajtur akset të kalueshme dhe për të parandaluar vështirësitë në qarkullim.

Advertisement