Ekonomi
Paga mesatare në 3-mujorin e III shënoi rritje me 1.8%
/ATSH/ Kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 nuk ka prekur nivelin e pagave në vend.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi “Statistikat e pagave për 3-mujorin e III“ të vitit, sipas të cilit, paga mesatare mujore bruto gjatë tremujorit të tretë 2020, është 52.815 lekë, duke u rritur me 1,8%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të tretë 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93,6% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e bujqësi, pyje dhe peshkim është 36,6% më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë të këtij viti paga mesatare bruto në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, ka rritjen më të madhe prej 4,3 %, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi ka një ulje prej 8 %.
Paga për punonjësit e shitjeve dhe të shërbimeve ka rritjen më të madhe prej 2,6% gjatë tremujorit të tretë 2020, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grup-profesionin e të punësuarve si Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ka një ulje, prej 4,3 %. /a.a/