Ekonomi
Rivlerësimi i banesave, rreth 52 mijë aplikime por më pak se gjysma kryen pagesën, shkak pandemia
Tashmë drafti ka mbërritur në Kuvend dhe në relacion shpjegohet edhe arsyeja e kësaj shtyrje duke e lidhur me situatën e përgjithshme të pandemisë e cila mund të ketë kufizuar pagesat nga ana e atyre që kanë bërë aplikim për rivlerësim banese.
“Pas miratimit të ligjit nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, realizimi i procesit të rivlerësimit ka hasur vështirësi për sa i përket procesit të aplikimit nga ana e personave të interesuar për të kryer rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Nga periudha 17 janar 2020, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr.90/2019, deri në 20 nëntor 2020, numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurive ka arritur masën 51 917 aplikime, ndërkohë që nga ky numër aplikimesh vetëm 26 267 aplikanë kanë kryer pagesat e rivlerësimit. Pra kemi rreth 49% të totalit të aplikantëve të cilët nuk kanë kryer akoma pagesat e rivlerësimit, për të cilët mendohet të ketë ndikuar edhe situata ekonomike e shkaktuar nga COVID-19.
Me synimin për t’i dhënë kohën e mjaftueshme të gjithë atyre individëve apo subjekteve tatimore që kanë interes ta kryejnë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, marrë shkak dhe nga parashikimi prej 7% i rritjes ekonomike nominale për vitit 2021, propozojmë zgjatjen e afatit të aplikimit të ligjit nr.90/2019 deri më 30 shtator 2021” thuhet në relacion.
Kjo është hera e dytë që afati shtyhet. I parashikuar fillimisht që të mbyllej në 30 tetor të këtij viti, qeveria vendosi që periudha të zgjatej deri në fund vit dhe tashmë të gjithë ata që duan të bëjnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme kanë edhe 9 muaj kohë, që të përfitojnë nga rivlerësimi i pronës me 3%.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka sqaruar se për t’u pajisur me shërbimin e rivlerësimit mundeni të aplikoni online tek portali e-Albania ( tek shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës) duke ndjekur hapat e njëpasnjëshme sipas udhëzimeve në sistem.
Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.
Monitor/