Connect with us

Kronike

Aksidentet përgjakin akset rrugore/ Motoçilistit i presin këmbën, gruaja humb jetën

Një aksident automobilistik ka ndodhur në orët e mëngjesit të sotëm në aksin Lushnjë–Rrogozhinë. Viktimë e këtij aksidenti ka mbetur Bajame Ramazani, rreth 75 vjeçe.
Gruaja ishte duke kaluar në këmbë trafikndarësen e autostradës, duke tentuar të kalonte në krahun tjetër, kur u përplas nga një automjet fuoristradë tip “Kia”. Si pasojë e goditjes, 75-vjeçarja ka humbur jetën.
Ky aks rrugor është një nga segmentet ku ngjarje të tilla janë të shpeshta. Edhe pse në hyrjet e fshatrave ka mbikalime për këmbësorët, banorët zgjedhin të rrezikojnë jetën duke kaluar në mes të autostradës.

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, pranë kthesës së Viroit, ku një motoçikletë është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë.
Sipas të dhënave paraprake, motoçiklisti dyshohet se ka hyrë në korsinë ku po qarkullonte maunia, duke shkaktuar përplasjen e fortë mes dy mjeteve.
Për shkak të impaktit të fortë, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar plagë shumë të rënda. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se ai ka humbur këmbën e majtë si pasojë e aksidentit dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës dhe shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat siguruan zonën dhe nisën veprimet hetimore për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur pasi motoçikleta ka devijuar në korsinë e lëvizjes së maunes, por janë hetimet ato që do të përcaktojnë shkaqet dhe përgjegjësitë e plota….

Një tjetër aksident ka ndodhur në aksin Gjirokastër–Tepelenë, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Sipas informacioneve paraprake, raportohet se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur disa persona, ndërsa automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, ambulancat, shërbimi zjarrfikës dhe efektivët e Policisë, të cilët u dhanë ndihmën e parë të lënduarve, siguruan zonën dhe normalizuan qarkullimin. Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes….

Advertisement