Kronike
Aksidenti i trefishtë ku humbi jetën 19 vjeçari, Forcat e Armatosura: Ishte student i Akademisë
Forcat e Armatosura kanë reaguar pas aksidentit tragjik të mbrëmjes së 25 shtatorit në afërsi të Kamzës, ku u përplasën tre automjete dhe humbi jetën 19-vjeçari Leart Çim Zalla.
Nga përplasja mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët u transportuan në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 19-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Forcat e Armatosura bënë të ditur se Leart Çim Zalla ishte student i vitit të parë në programin “Shkenca e Komunikimit në Fushën e Mbrojtjes”.
Në një reagim pas ngjarjes, Forcat e Armatosura shprehën ngushëllimet për familjen e të riut, duke e cilësuar humbjen e tij si një dhimbje të madhe.
Ndërkohë, njëri prej drejtuesve të automjeteve të përfshira në aksident është shoqëruar në polici. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se lagështira në rrugë dhe shpejtësia mund të kenë ndikuar në përplasjen e tre automjeteve. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë e plota lidhur me ngjarjen tragjike.