Politike
ILIR KULLA I TREGON RRUGEN ELISA SPIROPALIT: TANI DUHET TE LEVIZESH, TREGO SA FORCE KE
Analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka komentuar përplasjen mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e ish-kryetares së Kuvendit për ta kthyer kundërshtimin e saj në një betejë të vërtetë politike.
Sipas Kullës, deklaratat publike nuk mjaftojnë për të sfiduar Ramën, pasi në politikë pesha e një figure përcaktohet nga veprimet konkrete dhe jo nga mesazhet apo deklaratat në distancë.
Ai renditi disa mundësi për Spiropalin, duke përmendur daljen në protestën e 28 nëntorit, kandidimin në zgjedhjet vendore të majit, krijimin e një alternative të re politike apo organizimin e një grupimi deputetësh që do të mund të sfidonte shumicën brenda Partisë Socialiste.
“Çështja, ta them edhe një herë, është që në politikë mbetesh nga aktet, pra nga veprimet”, u shpreh Kulla.
Sipas tij, nëse Spiropali do të bashkohej me protestuesit më 28 nëntor, do të ndërmerrte një akt publik me peshë politike, që do të shënonte një fazë të re të përballjes së saj me Ramën.
“Në qoftë se ajo, kur është protesta me datë 28 nëntor, del me protestuesit, ajo po bën një akt publik politik, del në shesh. Nga ky moment pastaj do të shohim një Spiropali tjetër. Por deri në këtë moment ne nuk e kemi parë Spiropalin. Madje edhe mesazhin e sotëm, më shumë nënkupton sesa thotë”, deklaroi analisti.
Kulla vlerësoi se Spiropali ka përballë një kundërshtar me peshë të madhe politike, duke e cilësuar Edi Ramën si “krijesën më të fortë politike të 35 viteve të fundit”. Ai theksoi se kryeministri jo vetëm është në pushtet, por është edhe personi që ka mbështetur karrierën politike të Spiropalit dhe që e njeh mirë atë.
Analisti solli në vëmendje edhe mundësinë që ish-kryetarja e Kuvendit të përdorë kontaktet e saj ndërkombëtare për të ndërmarrë një iniciativë politike. Sipas tij, nëse ajo do të kërkonte mbështetje apo të zhvillonte takime në selitë e rëndësishme diplomatike, do të duhej të dëshmonte se po vepron në emrin e saj politik dhe jo thjesht në funksion të posteve që ka mbajtur më parë.
Kulla: Rama nuk largohet sepse ia kërkon Spiropali
Duke komentuar sfidën e Spiropalit për hapjen e garës për kreun e Partisë Socialiste pas 17 vitesh, Kulla u shpreh se një kërkesë e tillë nuk mund ta detyrojë Ramën të largohet nga drejtimi i partisë.
“Nëse mendon se Edi Rama do të japë dorëheqjen se ia kërkon Elisa, qoftë edhe Elisa, atëherë i bie të jesh naiv. Problemi është nëse ti je i aftë të bësh betejën politike”, tha ai.
Në këtë kontekst, Kulla përmendi edhe Erion Veliajn, duke vënë në dukje se ky i fundit po zhvillon një betejë politike edhe nga burgu, pavarësisht izolimit në të cilin ndodhet.
Sipas analistit, Spiropali duhet të përcaktojë qartë se çfarë rruge do të ndjekë: të përballet me Ramën jashtë strukturave të PS-së, të krijojë një alternativë të re, të kandidojë në zgjedhjet vendore apo të përpiqet të mbledhë mbështetjen e deputetëve socialistë.
“Nëse Elisa Spiropali del sot dhe thotë: ‘Po, unë do të jem kandidate për kryetare bashkie në muajin maj’, ajo ka bërë një veprim politik. Nëse Elisa Spiropali del dhe thotë: ‘Po, unë do të krijoj një alternativë timen politike dhe do të mbështes protestuesit’, ajo ka bërë një veprim politik”, u shpreh Kulla.
Ai shtoi se edhe ndarja e një grupi deputetësh nga grupi parlamentar socialist do të ishte një akt konkret politik. Ndërsa qëndrimi në pritje të një zgjidhjeje brenda Partisë Socialiste, sipas tij, nuk do të mjaftonte, sidomos në kushtet kur Spiropali është përjashtuar nga grupi parlamentar.
“Karma politike” brenda PS-së
Në analizën e tij, Kulla i cilësoi përplasjet e sotme brenda Partisë Socialiste si një formë të “karmës politike”, duke i lidhur ato me konfliktet e mëparshme të Edi Ramës me figura që dikur kanë qenë pjesë e së njëjtës hapësirë politike.
Ai përmendi marrëdhëniet e Ramës me Fatos Nanon dhe Ilir Metën, duke kujtuar se, sipas tij, mënyra se si u zhvilluan ato përplasje po përsëritet tashmë brenda vetë kampit socialist.
“Këta janë duke u përballur të gjithë bashkë me atë që unë e quaj karma politike. Se këtë shaka ia bënë në fillim Fatos Nanos, të ndjerit që nuk jeton më, dhe këta atëherë ishin me ‘Mjaftin’, pastaj ia bënë Ilir Metës, njeriut që i solli në pushtet, dhe tani, kur kanë mbaruar armiqtë e jashtëm, kanë mbetur vetëm armiqtë e brendshëm”, deklaroi Kulla.
Në përfundim, analisti theksoi se Edi Rama mbetet një drejtues me ndikim të madh politik dhe se edhe në momentet kur shfaq dobësi, përpiqet të demonstrojë forcë dhe kontroll mbi situatën.
Për Kullën, dy momentet e para kur Spiropali mund të kishte ndërmarrë një veprim të qartë politik kanë kaluar pa u shfrytëzuar, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë nëse ajo do të ndërmarrë një hap konkret.
“Fjalët i merr era, veprimet mbahen mend. Në dy momente kyçe që ajo pati mundësi të tregonte, ajo nuk e bëri. Do të shohim momentin e tretë”, përfundoi Ilir Kulla.