Connect with us

Politike

Akuzat për drogën dhe krimin/ Berisha kërkon hetim ndërkombëtar për Shqipërinë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar nga Brukseli se organizata ndërkombëtare e qendrës së djathtë IDC-CDI do të krijojë një grup pune për mbledhjen e fakteve mbi atë që ai e cilëson “narko-shtetin shqiptar” dhe lidhjet e pretenduara mes qeverisë shqiptare dhe karteleve të drogës.

Berisha tha se propozimi i tij u mirëprit gjatë Asamblesë së Përgjithshme të IDC-CDI, ku ai mban postin e zv/presidentit.

Sipas tij, grupi i punës do të fokusohet te krimi i organizuar dhe trafiku i drogës në Shqipëri dhe në vende të tjera, ndërsa do të mbledhë të dhëna dhe fakte për pretendimet e ngritura nga opozita.

“Do të krijohet një grup pune i cili do të mbledhë fakte mbi narko-shtetin dhe lidhjet direkte të qeverisë shqiptare me kartelet e drogës dhe krimit”, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij në Bruksel, lideri demokrat akuzoi qeverinë shqiptare për lidhje me grupet kriminale dhe për ndikim të tyre në ekonomi e politikë, duke përmendur edhe çështjen e “narko-euros”.

Berisha tha gjithashtu se ka propozuar organizimin e një konference ndërkombëtare për trafikun e drogës dhe situatën në Shqipëri, me synim rritjen e vëmendjes së institucioneve europiane ndaj këtyre çështjeve.

Advertisement