Aktualitet
AMA dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruajnë memorandum kundër piraterisë digjitale
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Prokuroria e Përgjithshme do të bashkëpunojnë për të luftuar piraterinë digjitale audiovizive. Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Sipas Krasniqit, marrëveshja parashikon bashkëpunim për identifikimin dhe dokumentimin e shkeljeve, shkëmbimin e informacionit dhe referimin e rasteve që mund të përbëjnë vepra penale.
Ajo tha se synimi është krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm dhe një reagim më i koordinuar mes institucioneve, në përputhje me kompetencat ligjore të secilit.
Krasniqi bëri të ditur se memorandumi përmbush detyrimet e AMA-s që rrjedhin nga Rezoluta e Kuvendit për vitin 2026. Ajo theksoi se pirateria dëmton punën e krijuesve, investimet e operatorëve të ligjshëm dhe konkurrencën në tregun audioviziv.
Në njoftimin e saj, kryetarja e AMA-s e cilësoi bashkëpunimin ndërinstitucional të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të transmetimit dhe zhvillimin e një tregu audioviziv sipas standardeve europiane.