Connect with us

Politike

Angazhimi në siguri/ Shqipëria në koordinim me NATO-n për organizimin e Samitit në Tiranë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim pune me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, ku në vëmendje kanë qenë bashkëpunimi strategjik dhe përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Aleancës që pritet të mbahet në Tiranë.

Përmes një postimi në median sociale X, Hoxha e ka cilësuar takimin si produktiv, duke theksuar se Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me prioritetet e NATO-s dhe e angazhuar për të forcuar kontributin e saj në Aleancë. Sipas tij, diskutimet kanë përfshirë angazhimin e Shqipërisë ndaj sigurisë euroatlantike, mbështetjen për Ukrainën dhe situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës është përqendruar në përgatitjet për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, që përbën një ngjarje të rëndësishme diplomatike dhe të sigurisë për rajonin. Hoxha ka theksuar koordinimin e vazhdueshëm me strukturat e Aleancës, duke nënvizuar angazhimin e Shqipërisë për të garantuar një organizim të suksesshëm dhe me ndikim.

Në deklarimet e tij, ministri ka vënë në dukje se Shqipëria po vijon modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në vitin 2026, si pjesë e angazhimeve të saj si vend anëtar i NATO-s. Ai ka përmendur gjithashtu investimet në industrinë vendase të mbrojtjes dhe forcimin e partneriteteve strategjike afatgjata.

Takimi ka prekur po ashtu situatën në Ballkanin Perëndimor, ku të dy palët kanë theksuar rëndësinë e pranisë së qëndrueshme të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit dhe adresimin e sfidave të sigurisë në rajon.

Në këtë kontekst, Hoxha ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për misionin e KFOR-it në Kosovë, duke e cilësuar atë si një element kyç për sigurinë rajonale.

Samiti i NATO-s në Tiranë, i pari i këtij niveli në rajon, pritet të shënojë një moment të rëndësishëm diplomatik për Shqipërinë, ndërsa përgatitjet për të vijojnë në koordinim të ngushtë me selinë e Aleancës.

Advertisement