Politike
Balla: Investimet e Bashkisë së Elbasanit me mbështetjen edhe të Qeverisë do vijojnë .
Punët publike në Bashkinë e Elbasanit vijojnë me ritme të shpejta në qytet e fshat, për të mos ndërprerë në asnjë moment shërbimin ndaj qytetarit. Aktualisht Këshilli i Qarkut të Elbasanit në bashkëpunim me bashkinë janë duke investuar në sistemimin e një rruge në fshatin Shushicë. Rruga rreth 1 km e gjatë i shërben 1500 banorëve të lagjes së sipërme të Shushicës, por lidh edhe varrezat e fshatit.
Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja dhe me Prefektin Klevis Xhoxhi inspektuan ecurinë e punimeve.
“Është një hap shumë i rëndësishëm spostimi i investimeve publike në Njësitë administrative. Ky investim ka qenë shumë i kërkuar nga banorët, kjo edhe për faktin se lidh varrezat e fshatit. Investimet e Bashkisë së Elbasanit me mbështetjen edhe të Qeverisë po vijojnë.
Po ashtu i domosdoshëm është edhe investimi për rrugën e varrezave në Elbasan që lehtëson trafikun dhe besoj shumë shpejt do të nisë puna.
Elbasani është i gjithi në punë sepse në fund të fundit ne për këtë jemi zgjedhur për të punuar dhe për të mbajtur fjalën e dhënë” tha Balla.
Nga ana tjetër Z. Llatja shtoi se punët vijojnë paralelisht në disa Njësi Administrative, aty ku nevojat janë më të mëdha:
“Është një investim i shumëkërkuar nga banorët e fshatit Shushicë. Sapo kemi përfunduar edhe rrugën e varrezave në fshatrat Shirgjan e Gjergjan. Shumë shpejt do të nisim dhe investimin e qeverisë për rrugën e varrezave të Elbasanit, një pjesë e ndjeshme që lehtëson trafikun në qytet” theksoi kryetari i Bashkisë.
Investimi është ndarë në dy faza. Në fazën e parë po kryhet sistemimi i rrugës, ndërtimi i veprave të artit dhe rrethimi i varrezave dhe në fazën e dytë do të nisë asfaltimi i këtij aksi.
Bashkia e Elbasanit tashmë ka nisur edhe procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku administrata do të zhvillojë takime me banorët në çdo njësi administrative për të përcaktuar përparësitë në investime për vitin e ardhshëm buxhetor.