Politike
Begaj në Abu Dhabi/ Forcohen lidhjet me Emiratet, kërkohen më shumë investime në Shqipëri
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi vizitën e parë zyrtare të një kreu të shtetit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u prit nga Presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Në fokus të takimit ishte forcimi i partneritetit politik dhe ekonomik mes dy vendeve, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë bisedimeve në Abu Dhabi, Presidenti Begaj falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në periudha të vështira. Ai veçoi ndihmën gjatë luftës në Kosovë, pas tërmetit të vitit 2019 dhe pas sulmit kibernetik të vitit 2022.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve. Begaj vlerësoi se hapja e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë pritet t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe.
Presidenti shqiptar ftoi gjithashtu investitorët emiratas të rrisin praninë e tyre në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e infrastrukturës, energjisë, inovacionit dhe turizmit, si dhe në fusha të tjera strategjike.
Begaj dhe Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan diskutuan edhe për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për paqen, sigurinë dhe zhvillimin.
Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, Presidenti Begaj zhvilloi takime edhe me Princin e Kurorës, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe me Zëvendëspresidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan.