Politike
Berisha paralajmëron mazhorancën: Përplasja me protestuesit do të ketë pasoja
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi në Kuvend shqyrtimin dhe votimin e aktit normativ që lidhet me protestat, duke argumentuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e një pjese të zbatimit të tij nuk lejon vijimin e procedurave parlamentare.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha deklaroi se shqyrtimi i aktit pas vendimmarrjes së Kushtetueses cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit. Sipas tij, Parlamenti nuk ka kompetencë të ndryshojë përmbajtjen e një akti normativ të qeverisë, por mund ta miratojë ose ta rrëzojë atë në tërësi.
Kreu i PD-së iu referua konkretisht nenit 5, pikës 2, të aktit normativ, zbatimi i të cilit është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, duke kërkuar që Kuvendi t’i nënshtrohet këtij vendimi dhe të mos e kalojë aktin për votim.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi gjithashtu mazhorancën për qëndrimin ndaj protestuesve, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i përplasjeve mund të sjellë pasoja për të cilat, sipas tij, përgjegjësinë do ta mbajë qeveria.
Ai komentoi edhe denoncimin e një deputeteje të shumicës ndaj një protestueseje që e kishte goditur me vezë, duke e cilësuar një reagim të tillë si të papërshtatshëm për klimën e përballjes politike.
Në përfundim, kreu i opozitës përsëriti kërkesën që akti normativ të mos hidhet në votim, duke e konsideruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese pengesë për vijimin e procedurës parlamentare.