Connect with us

Aktualitet

ISHP: Nuk ka raste të hantavirusit në Shqipëri, rreziku vlerësohet shumë i ulët

Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar në një konferencë për shtyp situatën lidhur me hantavirusin, duke theksuar se rreziku për Shqipërinë dhe më gjerë në Europë vlerësohet shumë i ulët dhe se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vend.

Sipas përfaqësuesit të ISHP-së, situata epidemiologjike është nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë ndërmarrë masa paraprake për identifikimin në kohë të çdo rasti të dyshuar dhe për gjurmimin e kontakteve të mundshme. Institucioni bën të ditur se sistemi shëndetësor në vend është i gatshëm për menaxhimin e çdo situate që mund të paraqitet.

Në deklaratë u theksua gjithashtu se ISHP është në komunikim me autoritetet shëndetësore të Greqisë, pas një rasti të lidhur me një shtetas grek që ka qenë pasagjer në anijen turistike MV Hondius, ku është raportuar një shpërthim i hantavirusit. Sipas institucionit, kjo situatë po ndiqet në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

Zyrtari i ISHP-së përjashtoi mundësinë e përhapjes në formë pandemie, duke nënvizuar se nuk ka vend për alarm. Ai sqaroi se lloji i hantavirusit i raportuar në rastin e anijes është specifik dhe nuk gjendet në Europë dhe në Shqipëri, ndërsa transmetimi i tij nga njeriu te njeriu ndodh shumë rrallë dhe kryesisht vetëm në kontakte të ngushta dhe të zgjatura familjare.

“Nuk ka fare rrezik. Rrisku për Shqipërinë dhe kontinentin është shumë i ulët. Nuk ka asnjë lloj kufizimi të udhëtimeve dhe tregtisë. Hantaviruset janë një grup virusesh dhe lloji i zbuluar në anije transmetohet vetëm në kontakte të ngushta. Llojet që qarkullojnë në Shqipëri nuk transmetohen mes njerëzve. Po marrim masa që çdo rast i dyshuar të izolohet dhe të gjurmohet”, u shpreh përfaqësuesi i ISHP-së.

Ai shtoi se deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i prezencës së hantavirusit në Shqipëri, ndërsa theksoi se shërbimi shëndetësor është në gatishmëri për të reaguar menjëherë në rast nevoje.

Advertisement