Aktualitet
Bizneset gjermane kundër paketës fiskale 2027: Rritet barra mbi kompanitë
Ndryshimet e propozuara në paketën fiskale 2027 kanë sjellë kundërshtime nga bizneset gjermane që operojnë në Shqipëri. Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, DIHA, paralajmëron se disa prej masave të parashikuara mund të rrisin barrën fiskale për kompanitë dhe të ndikojnë negativisht në klimën e investimeve.
Në një deklaratë publike, shoqata kritikon mënyrën se si është hartuar paketa fiskale, duke theksuar se komuniteti i biznesit nuk është përfshirë në konsultime. Sipas DIHA-s, projektligjet nuk janë publikuar për konsultim publik, ndërsa versionet përfundimtare iu janë paraqitur Këshillit Tatimor vetëm pak kohë përpara se të dorëzoheshin në Parlament.
Shoqata thekson se parashikueshmëria e sistemit tatimor është një nga elementët kryesorë që investitorët gjermanë dhe të huaj marrin në konsideratë përpara se të vendosin të investojnë në Shqipëri.
DIHA vlerëson disa prej masave lehtësuese të propozuara, përfshirë uljen e TVSH-së për ushqimet bazë dhe reduktimin e tatimit mbi të ardhurat për shtresën e mesme. Megjithatë, sipas saj, përfitimet nga këto ndryshime shoqërohen me rritje të taksave mbi biznesin dhe konsumin.
Një prej shqetësimeve lidhet me rritjen e tatimit mbi dividendët, që sipas shoqatës mund ta bëjë Shqipërinë më pak konkurruese për investitorët. Ndërkohë, propozimi për vendosjen e TVSH-së standarde në nivelin 21% mund të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët.
“Të marra së bashku, këto rritje mund të kufizojnë burimet financiare që kompanitë kanë në dispozicion për riinvestime, modernizim dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, thekson DIHA.
Në përfundim, bizneset gjermane i kërkojnë qeverisë dhe Parlamentit të rishikojnë disa prej masave të propozuara, të zhvillojnë konsultime të plota me komunitetin e biznesit përpara miratimit të paketës dhe të parashikojnë një periudhë tranzicioni, në mënyrë që kompanitë të kenë kohën e nevojshme për t’u përshtatur me ndryshimet.