Aktualitet
Flakët përpijnë magazinën në Mamurras, digjen bimët medicinale
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një magazinë pranë qytetit të Mamurrasit, ku po digjen sasi të konsiderueshme bimësh medicinale.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e magazinës, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe duke krijuar rrezik për përhapjen e zjarrit edhe në hapësirat përreth.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Kurbinit, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe neutralizimin e flakëve.
Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar për shkaqet e zjarrit apo për persona të lënduar. Ndërhyrja e zjarrfikësve vijon, ndërsa pritet të mësohen më shumë detaje mbi dëmet e shkaktuara.