Aktualitet
BKH zbarkon në Elbasan, në pranga administratori i “ECO-ELB” (EMRI)
Leli Kraja, administrator i kompanisë koncesionare “ECO-ELB”, është arrestuar nga agjentët e BKH-së në lagjen “Fushë Mbret” të Elbasanit, në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Elbasanit për menaxhimin financiar të inceneratorit të Elbasanit dhe kompanisë “Eco Alb”.
Arrestimi i Krajës vjen pas një operacioni të gjerë kontrollesh të zhvilluar nga Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Me urdhër të prokurorisë dhe në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Elbasanit, janë kryer 14 kontrolle në banesa të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të lidhur me çështjen.
Në fokus të hetimit janë edhe disa zëvendëskryetarë bashkish të qarkut Elbasan, si dhe drejtues të sektorëve juridikë dhe financiarë, për të cilët po verifikohet roli i tyre në marrëdhëniet institucionale dhe financiare me kompaninë që menaxhon mbetjet urbane.
Sipas të dhënave të bëra publike, përpara kontrolleve janë marrë në pyetje 43 persona, të cilët kanë dhënë shpjegime lidhur me funksionimin dhe menaxhimin financiar të inceneratorit.
Hetimi, i nisur në vitin 2024, është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”. Prokuroria po analizon marrëdhëniet institucionale dhe financiare mes kompanisë “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut Elbasan.
Çështja konsiderohet voluminoze dhe komplekse, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të personave të përfshirë.