Kronike
Trafikonte dro*gë, arrestohet 49-vjeçari shqiptar në Zvicër, paratë i investonte në Shqipëri
Një 49-vjeçar shqiptar është arrestuar në Zvicër, nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan rreth 2.7 kilogramë kokainë dhe afro 30 gramë heroinë.
Sipas autoriteteve zvicerane, 49-vjeçari u arrestua më 12 gusht në Emmenbrücke, pas një hetimi të zhvilluar nga Policia e Lucernës.
Hetuesit dyshojnë se shqiptari kishte hyrë ilegalisht në Zvicër në fillim të muajit gusht dhe se kishte mbërritur në vend me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se, përpara arrestimit, ai kishte shitur kokainë dhe heroinë te të paktën 20 persona. I dyshuari mësohet se kishte qëndruar kryesisht në Zvicrën Qendrore, ndërsa hetimet e policisë çuan në identifikimin dhe më pas arrestimin e tij.
Një pjesë e hetimeve është përqendruar edhe te paratë që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Sipas hetuesve, një pjesë e të ardhurave ishte transferuar në një llogari bankare në Shqipëri.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur shumën e parave të transferuara, kujt i përkiste llogaria bankare apo se për çfarë qëllimi ishin dërguar.
Identiteti i 49-vjeçarit nuk është bërë publik nga autoritetet zvicerane.