Politike
Balla sfidon opozitën: Harrojeni që mund të bllokoni reformën
Në përgjigje ndaj opozitës për reformën territoriale, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se synimi i mazhorancës është përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe jo përcaktimi se kush do të drejtojë bashkitë.
Balla e cilësoi këtë si një nga dallimet kryesore mes socialistëve dhe opozitës, duke akuzuar këtë të fundit se e sheh reformën përmes interesit për drejtimin e bashkive.
“Në thelbin dhe dëshirën tonë është që çdo qytetari të Republikës t’i ofrojmë shërbimet e duhura. Ky është dallimi i madh mes nesh dhe mes jush. Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë. Për ne bashkimi sjell shërbime më të mira për të gjitha komunitetet që ato jetojnë”, tha Balla.
Ai iu referua gjithashtu historikut të reformës administrativo-territoriale, duke i kërkuar PD-së të mos bojkotojë Kuvendin. Balla rikujtoi bojkotin e vitit 2019 dhe atë të vitit 2014, ndërsa tha se rezultatet e reformës së mëparshme, sipas tij, kanë qenë pozitive.
“Herën e fundit që e kam dëgjuar shprehjen që nuk qëndrojmë më në këtë sallë me ju ka qenë diku në fillim të 2019. Historia që pasoi dihet: PD iku nga Kuvendi, zgjedhjet dhe pastaj fundi dihet. Uroj shumë, miqësisht, që mos ta merrni këtë vendim. Megjithatë, zgjedhjet janë tuajat”, deklaroi ai.
Balla komentoi edhe protestën e opozitës të thirrur për të enjten kundër reformës territoriale, duke përdorur ironi ndaj saj. Ai tha se rikthimi i PD-së te protestat është, sipas tij, një zhvillim pozitiv.
“Mendoja se do të flisnim për reformën, të enjten keni thirrur protestë kombëtare. Ej shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë”, u shpreh Balla.
Në vijim, kreu i grupit socialist iu referua edhe çështjes së Sazan-Zvërnecit dhe dokumenteve që opozita ka pretenduar se lidhen me këtë çështje, duke e ftuar atë të përdorë platformën “Pasqyra e Flamingos”.
“Keni mundësinë e artë që edhe sot, edhe ju të hyni në këtë platformë dhe të aksesoni dokumentet e vërteta zyrtare e jo ato që shpikni”, tha Balla.
Në fjalën e tij, Balla u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke rikujtuar afatin për përfundimin e punës së komisionit në fund të nëntorit. Ai deklaroi se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën, por paralajmëroi se nuk do të pranojë bllokimin e procesit.
“S’duam të kemi reformë zgjedhore pa ju, por harrojeni që mund të bllokoni përmbushjen e detyrimeve”, tha Balla.
Ai iu referua edhe procesit të integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e rolit të opozitës në këtë fazë dhe duke përmendur deklaratat e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Në fund, Balla shprehu mbështetje për nismën e Kuvendit të Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara, pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai i bëri thirrje opozitës të shmangë, sipas tij, deklaratat populiste dhe të mbajë një qëndrim të përbashkët në mbështetje të Kosovës.
“Koha për të bërë deklarata populiste apo kërkesa për interpelanca populiste, ju ftoj t’i tërhiqni. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria e zë të përbashkët”, përfundoi Balla.