Politike
Boll me folklor dhe emocione/ Ilir Kulla: Tani fillon beteja e vërtetë kundër vendimit të Hagës
Pas vendimit të shkallës së parë në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, analisti Ilir Kulla e sheh fazën e apelimit si betejën kryesore ku duhet të përqendrohen përpjekjet për mbrojtjen e tyre.
I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, Kulla tha se dënimet ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit janë veçanërisht të rënda, duke iu referuar moshës së tyre.
Ai tha se e kishte ndjekur me vëmendje arsyetimin e trupit gjykues gjatë shpalljes së vendimit dhe vuri në dukje detajet me të cilat, sipas tij, prokuroria kishte paraqitur rastet.
“Prokuroria ka pasur kohë dhe para, janë harxhuar shumë që ky proces të vinte deri këtu ku erdhi”, deklaroi Kulla.
Por kritika e tij u përqendrua edhe te kohëzgjatja e paraburgimit.
Kulla theksoi se katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar rreth gjashtë vite në paraburgim, duke e konsideruar këtë periudhë jashtëzakonisht të gjatë.
“Nuk e di nëse ju e dëgjuat, se unë e dëgjova me kujdes gjithë arsyetimin e gjyqtarit”, tha ai, duke argumentuar se detajet e paraqitura në vendim tregojnë, sipas tij, për një proces të gjatë dhe kompleks.
Kulla e zhvendosi më pas debatin nga reagimet politike te beteja juridike.
Sipas tij, pas shpalljes së vendimit, nuk duhet të ketë më reagime që mbeten vetëm në planin emocional apo politik, por përpjekje konkrete në procesin e apelimit.
“Ndihma më e madhe që mund t’u jepet atyre njerëzve është: nuk ka më sjellje politike, emocionale dhe folkloristike nga kjo gjë”, u shpreh Kulla.
Ai argumentoi se rruga tashmë është ajo juridike dhe se mbrojtja duhet të fokusohet te apelimi i vendimit dhe te argumentet që do të paraqiten në instancën e dytë.
Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në shkallë të parë me një total prej 81 vitesh burgim, ndërsa vendimi mbetet i apelueshëm.
Mesazhi i Kullës është që debati pas vendimit të Hagës të zhvendoset nga reagimet politike dhe emocionale drejt betejës ligjore.
“Tani duhet të punohet në Apel” – kjo është, në thelb, rruga që ai propozon për fazën e ardhshme të çështjes.
Ai tha se vendimi i Hagës nuk ishte i papritur për të. Ai tregoi se kishte folur për një përfundim të tillë edhe një natë më parë në Prishtinë, ndërsa argumentoi se mënyra si ishte ndërtuar procesi dhe trajtimi i katër ish-krerëve të UÇK-së në paraburgim i kishin krijuar bindjen se drejtimi ishte përcaktuar prej kohësh.
“Ishte diçka që unë e prisja. Edhe parmbrëmë në Prishtinë me disa miq, edhe në emisionin ‘Matrix’ në TV1 në Kosovë, dhashë një koment pak a shumë të ngjashëm. Me disa miq e shokë, ish-anëtarë të UÇK-së, njerëz shumë të afërt, me të cilët kemi komunikuar, mënyra se si u ndërtua e gjithë kjo gjë, mënyra se si u vazhdua, edhe sjellja atipike e drejtësisë në raport me paraburgimin e katër zotërinjve që u dënuan, të çonte drejt kësaj”, tha Kulla.
Ai u ndal veçanërisht te Jakup Krasniqi, duke përmendur moshën dhe problemet e tij shëndetësore, por edhe te rastet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit gjatë viteve të paraburgimit.
“Në mënyrë të veçantë me Jakup Krasniqin, që është një burrë i moshuar edhe i sëmurë, duke i refuzuar çfarëdo lloj forme të ndryshimit të paraburgimit, qoftë edhe atë shëndetësor për shkak të moshës ose për shkak të trajtimeve mjekësore. Apo ajo që i ndodhi presidentit Thaçi në rastin e sëmundjes dhe të vdekjes së babait të tij, apo ajo e zotit Veseli. E bënte të qartë që, që në fillim, e gjithë struktura e kishte ndarë mendjen që këta njerëz do të bëheshin shembull”, u shpreh ai.