✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Braçe mbron buxhetin 2027: Më shumë para për pensionistët

Deputeti socialist Erion Braçe ka prezantuar në Kuvend raportin e Komisionit për Ekonominë, Financat dhe Punësimin mbi ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale dhe projektbuxhetin e shtetit për vitin 2027, përpara votimit nen për nen dhe në tërësi.

Gjatë fjalës së tij, Braçe e cilësoi projektbuxhetin si të mirëstrukturuar, duke theksuar se ai garanton balancë pozitive dhe është në përputhje me programin e qeverisë. Sipas tij, ndryshimet e propozuara nga komisioni synojnë të zgjerojnë përfitimet për kategori të ndryshme të shoqërisë, pa cenuar parametrat kryesorë financiarë të buxhetit.

Braçe bëri të ditur se të ardhurat e parashikuara për vitin 2027 janë 908 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet arrijnë në 976 miliardë lekë. Deficiti buxhetor, sipas tij, mbetet në nivelin 2.3%, ndërsa investimet publike janë më shumë se trefishi i deficitit të programuar.

Një tjetër element që deputeti socialist vuri në dukje ishte trajektorja e borxhit publik, për të cilin tha se do të vijojë të ulet, duke synuar nivelin 52%. Ai theksoi gjithashtu se parashikohet reduktimi i risqeve buxhetore që lidhen me kontratat koncesionare dhe partneritetet publike-private.

“Komisioni për financat, ekonominë dhe punësimin ka bërë një proces të plotë në një muaj. Është puna më e rëndësishme e tij në një vit, po aq edhe për komisionet e tjera parlamentare. Janë dhjetëra orë lexim, dëgjim, pyetje, përgjigje të marra, diskutime, propozime dhe në fund votim në to. Sot është detyra të shkojmë përpara me votimin këtu në Kuvend nen për nen dhe në tërësi të gjithë ligjeve të paketës fiskale dhe të projekt buxhetit të shtetit për vitin 2027.

Po komisioni për ekonominë dhe financat ka bërë ndryshime në ligjet e paketës fiskale dhe në ligjin e buxhetit. Thellojnë politikat e materializuara në to duke përfshirë shtuar përfitimet për kategori të gjëra të shoqërisë.

Një pjesë janë propozime për tu votuar sot këtu. Një pjesë i janë sugjeruar qeverisë për vitin në vijim, kryesisht në hartimin e politikave të reja dhe administrim të politikave që votojmë sot. Një pjesë janë detyrat shpallura që ky komision do t’i kryejë gjatë vitit duke kontrolluar zbatimin e këtyre ligjeve.

Dua të theksoj se së pari ndryshimet e propozuara për votim këtu nuk deformojnë ato që janë parimet kyç dhe ligjore të një buxheti të mirë. Tavanet e të ardhurave dhe shpenzimeve ato mbeten të parashikuar. 908 miliard lekë të ardhurat dhe 976 miliard lekë shpenzimet. Nuk prekin defiçitin buxhetor. Ai mbetet në nivelin e parashikuar prej 2.3%.

Nuk cënojnë detyrimin ligjor të balancës primare pozitive. Ajo mbetet në terren pozitiv deri neutrale.  Nuk zhbëjnë rregullin e art të investimeve publike më të mëdha sesa defiçiti. Investimet janë më shumë se tre herë më të mëdha se defiçiti buxhetor i programuar.

Duke materializuar një stimul të fortë fiskal për punët dhe veprat për njerëzit. Nuk përmbysin detyrimin disavjeçar të uljes së borxhit publik, ai do të ecë drejt uljes në nivelin e 52%. Ul në nivelin minimal riskun buxhetor nga kontratat e koncesioneve apo partneritetit publik privat, duke bërë më të qartë zgjerimin e shërbimit publik pas përfundimit të tyre.

Të gjitha këto nuk janë numra pa kuptim, por e mirë publike, parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri e ekonomisë kombëtare në rritje dhe ekonomisë familjare që duhet dhe do të përfitojë prej saj”, u shpreh Braçe.

Advertisement