Aktualitet
Dasma u kthye në ankth/ Shpërthimi në Lezhë, Saimir Kola në gjendje të rëndë
Një ditë që familja Kola e kishte pritur si festë është kthyer në ankth pas shpërthimit të fuqishëm në banesën e tyre në Markatomaj të Lezhës.
Gjashtë persona mbetën të plagosur nga shpërthimi i dyshuar i një bombole gazi, ndërsa gjendja më serioze paraqitet për 40-vjeçarin Saimir Kola.
Sipas të dhënave të bëra publike, Kola kishte hapur derën dhe kishte ndezur dritën në pjesën e pasme të banesës, kur menjëherë ka ndodhur shpërthimi. Ai ka pësuar djegie të rënda në fytyrë dhe në pjesë të trupit dhe, pas transportimit drejt Tiranës, po shqyrtohet mundësia e dërgimit të tij jashtë Shqipërisë për trajtim më të specializuar.
Në momentin e shpërthimit, pjesëtarët e tjerë të familjes ndodheshin kryesisht në verandë. Mes të plagosurve janë edhe dy fëmijë të moshës 10 dhe 13 vjeç. Pesë personat e tjerë raportohet se janë në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja merr përmasa edhe më dramatike për shkak të arsyes që kishte mbledhur familjen në Shqipëri. Ata jetonin në Itali dhe kishin ardhur për pushime, por edhe për dasmën e mbesës së Saimir Kolës, e cila ishte planifikuar pikërisht për këtë të diel. Në vend të përgatitjeve për festë, familjarët tashmë po presin lajme për shëndetin e 40-vjeçarit.
Shpërthimi ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme në banesë. Grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar saktësisht se çfarë shkaktoi shpërthimin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.