Connect with us

Rajon

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel/ Kompromis apo raund i ri i grindjeve

Takimi i ardhshëm në Bruksel i liderëve të Kosovës dhe Serbisë pritet me skepticizëm si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pas rreth një viti heshtjeje dhe pas kërcënimeve të fundit mes palëve, ku janë përmendur edhe fjalët luftë, dhunë dhe konflikte, më e shumta që mund të arrihet në këto kushte është që palët të zotohen se do të heqin dorë nga retorika nxitëse. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti për zbatimin e marrëveshjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar këto ditë për media të huaja se Serbia po kërcënon me rrënimin e stabilitetit dhe paqes në rajon. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka përmendur disa herë edhe rrezikun e instrumentalizimit të Serbisë dhe serbëve në Kosovë nga forca të jashtme, në radhë të parë nga Rusia, për qëllime të saj.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka përdorur edhe fjalë dramatike në deklaratat për opinion, duke thënë se “po përgatisin likuidime të njerëzve tanë në veri të Kosovës“. Ai “luti” shqiptarët dhe në radhë të parë bashkësinë ndërkombëtare që të mos e lejojnë këtë, duke shtuar se “Serbia do të fitojë”.

Pritjet nga dialogu

“Po shkoj në Bruksel për të biseduar. Nuk besoj se do të ketë ndonjë rezultat, por po shkoj të flasim”, ka thënë Vuçiq. Sipas tij, shpresa e vetme për të arritur diçka më shumë është nëse vendet e Kuintit ushtrojnë presion politik ndaj palës shqiptare.

Krerët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen ndaras në Bruskel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili do t’i njohë ata me planet e aleancës në rast përshkallëzimi të gjendjes. Ndërsa Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme (EEAS) u ka bërë thirrje në fundjavë të dyja palëve që të ndalojnë retorikën nxitëse dhe të jenë të përgjegjshme, që të mos ketë përshkallëzim të dhunës në rajon. Kjo ftesë ka shkaktuar reagime të ashpra në Beograd.

Petar Petkoviq, përfaqësuesi serb në dialog, thotë se “apeli i pafytyrë për të dyja palët po i hedh benzinë ​​zjarrit dhe po inkurajon regjimin e Kurtit që të destabilizojë situatën në Kosovë dhe në rajon”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e sheh këtë ftesë të palës evropiane “si një shaka të pakëndshme”. “Plot 175 ditë, Albin Kurti provokoi një konflikt të armatosur me serbët, në një vit që do të mbahet mend si viti në të cilin Kurti u privoi serbëve të drejtat më elementare njerëzore – duke i ndaluar të votojnë. Përveç një deklarate të kotë me shkrim, BE-ja nuk ka bërë absolutisht asgjë në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e kryeministres në Twitter. Ndërsa ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin thotë se „Beogradi vetëm po u përgjigjet marrëzive të Prishtinës dhe se nuk do të nisë aspak konflikte“.

Rrethi vicioz

“Mendoj se dialogu ka hyrë në fazën e matjes së forcave mes palëve, kur secila palë ka më shumë kujdes që të mos përfitojë pala tjetër, sesa të nxjerrë vet ndonjë përfitim prej tij”, thotë profesori Ivo Viskoviq për DW. Sipas tij, kjo është një “qasje e gabuar, ku nuk do të ketë asnjë rezultati pozitiv. Gjërat janë futur në një rreth vicioz në veçanti kur bëhet fjalë për çështjet ekzistenciale“, pohon ai.

Përderisa sipas disa burimeve, kryeminstri Kurti po përgatitet që në Bruksel të bisedohet për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si shtete, Vuçiq sërish do të insistojë që të bisedohet për Bashkësinë e komunave me shumicë serebe, thotë gazetari Milivoje Mihaljoviq për DW.

“Bazuar në këtë, ne nuk mund të presim shumë nga ky raund dialogu”, thotë ai dhe shton: “Ajo që pres nga ky raund është largimi i kërcënimeve për konflikte atje”.

Roli i Rusisë

Burimet serbe thonë se “pala shqiptare po përpiqet të përfitojë nga situata më e favorshme gjeopolitike me lëvizjet e saj të fundit provokuese”. Për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Serbia ka ngjallur dyshime në Perëndim dhe shihet si një lloj aleati i heshtur i Rusisë, të cilin Prishtina po përpiqet ta përdorë si avantazh të saj dhe të ndryshojë situatën në terren.

Ivo Viskoviq thekson se “kjo nuk është asgjë e re në politikë” dhe se “pala shqiptare po përpiqet realisht të përfitojë nga ky moment i favorshëm”. Por ai nuk mendon se do të ketë ndonjë ndryshim të madh. E vetmja gjë që mund të jetë e pakëndshme për Serbinë është mundësia e pranimit që Kosova të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. “Atje Serbia ndoshta do të reagonte fuqishëm dhe gjërat do të ktheheshin sërish në fillim,” beson Viskoviq.

Reagimet e opozitës

Opozita serbe, por edhe analistë të shumtë në Beograd, paralajmërojnë se Aleksandar Vuçiq ka nënshkruar dokumente të shumta, duke filluar nga Marrëveshja e Brukselit dhe se pala shqiptare tani vetëm po tenton t’i zbatojë këto marrëveshje. Sipas këtyre interpretimeve, nuk është e qartë pse Serbia tani po fillon një dramë të tillë nëse i ka nënshkruar vetë këto dokumente dhe është pajtuar me to. Ndërsa disa të tjerë thonë se në Bruksel është nënshkruar edhe marrëveshja për krijimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe por as kjo nuk është zbatuar.

Pas nënshkrimit, autoritetet në Kosovë kanë kërkuar që kjo marrëveshje të verifikohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka konstatuar se marrëveshja fillestare nuk mund të zbatohet, sepse në shumë pjesë të saj bie ndesh me Kushtetutën. Por pala serbe kërkon që ajo të implementohet në formën fillestare.

Analisti Milivoje Mihajloviq thotë se “në Bruksel është nënshkruar marrëveshja dhe ajo duhet të zbatohet”. Kjo çështje, sipas tij, po përdoret për luftë të brendshme politike mes pozitës dhe opozitës në Kosovë. “Albin Kurti do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat e forcojnë pozitën e tij. Deri më tani gjithmonë ka përfituar në zgjedhjet e Kosovës ai që është kritikuar nga Beogradi”, thekson Mihajloviq.

Roli i BE

Krerët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar ditët e fundit se ata angazhohen për një kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nga ana tjetër, shtrohet pyetja: A është i mundur kompromisi në kohën kur presidenti i Serbisë thotë, se “dialogu nuk ka më kuptim”.

Profesori Ivo Viskoviq mendon se vazhdimi i gjërave sipas modelit të deritanishëm nuk sjell asgjë. “Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë më ndryshe. Kompromisi është vërtet i vështirë, por mendoj se ai duhet të arrihet hap pas hapi. Vështirë se do të ketë hapa të mëdhenj”, pohon ish-diplomati. Ndërsa Mihajloviq mendon se BE nuk ka bërë asgjë për arritjen e kompromisit, ndonëse tërë kohën flet se duhet të ketë një kompromis.

“Pala shqiptare nuk dëshiron të përmbushë asgjë, sepse askush nuk po i bën presion serioz asaj. Amerika do të mund ta bënte, por kurrë nuk do të krijojë një situatë konflikti mes shqiptarëve dhe trupave amerikane në terren. Ndërsa BE-ja po vepron vetëm si “dikush që merr me qira lokalet për diskutim, pra për grindje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe asgjë më shumë”, konstaton Mihajloviç./DW

Rajon

Kosova në KiE/ Shpërthen Petkoviç: Do konsiderohet gjest armiqësor ndaj Serbisë

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç e deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës do të shihet nga Serbia si “gjest armiqësor” ndaj saj.

Beogradi u shpreh ai, nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë “hapur, politikisht dhe në mënyrë procedurale”. “Ka një dëshirë për nxitim për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës”, u shpreh Petkoviç duke nënvizuar se kjo ndodh se për shkak të “disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”. Dhe këtu, erdhi edhe një paralajmërim për ndërkombëtarët. “Ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi eventual i Prishtinës në Këshillin e Europës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do të kishte efektin e kundërt”, tha zyrtar i lartë serb.

Serbia, vazhdoi ai, i bën thirrje partnerëve të saj në Këshillin e Europës “të kenë parasysh se një rezultat i tillë do të përbënte një precedent, i cili  do të shkatërronte vetë parimet themelore të kësaj organizate” kur të vendosin që të përfshijnë edhe Kosovën. Petkoviç është njëkohësisht kryenegociatori i palës serbe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit. Komentet e tij kontrastojnë hapur me pjesën e marrëveshjen e Ohrit e cila dikton që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës e miratoi një ditë më parë rekomandimin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që dilte në përfundimin se vendi i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i këtij organizmi.

Continue Reading

Rajon

Nekrologjia e Vuçiçit, ngrihet në këmbë qeveria serbe, nis hetimi

Më 26 mars, qeveria në Beograd dënoi publikimin e çertifikatës së rreme të vdekjes me imazhin e Presidentit të Serbisë, e cila u shpërnda në rrjetin social Facebook.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd ka urdhëruar identifikimin urgjent të personave që krijuan njoftimin e rremë të vdekjes së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Departamenti i krimeve të teknologjisë së lartë është urdhëruar të identifikojë personat që kanë shpërndarë këtë njoftim në mediat sociale. Teksa kryeprokurori Nenad Stefanoviç tha se këto veprime përbëjnë vepër penale që ndiqet sipas procedurave zyrtare dhe duhet të sanksionohet në përputhje me ligjin.

Në lidhje me kete ka reaguar edhe zyrtarja e Partisë Progresive Serbe, njëherazi kryeparlamentarja Ana Brnabić.

Ajo tha se organet kompetente po bëjnë punën e tyre pasi njoftimi i vdekjes nuk është “as shaka, as argëtim”, por shqetësuese dhe paraqet “kërcënim të qartë për jetën e presidentit”.

Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha se kjo është “një tjetër fushatë e turpshme kundër presidentit serb dhe pretendoi se koalicionin opozitar “Serbia kundër dhunës” mund të fshihet pas këtij skandali.

Continue Reading

Rajon

Kathimerini: Ministri i Jashtëm grek kërkon fokusin evropian në çështjen Beleri

Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis tha ditën e sotme se rasti i Fredi Belerit, një kryebashkiak nga minoriteti grek i Shqipërisë, i cili u dënua kohët e fundit me dy vjet burg për blerje votash, duhet të shihet si një shqetësim evropian dhe jo një çështje dypalëshe midis dy fqinjëve ballkanikë.

Kjo nuk është një [çështje] dypalëshe. Nëse një vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian mbështet parimet e shtetit të së drejtës dhe respekton të drejtat politike të qytetarëve të tij, nuk është dypalëshe. Është një çështje evropiane dhe ne duhet ta perceptojmë si të tillë dhe ta nxjerrim në pah në të gjitha forumet”, tha Gerapetritis për radio Skai.

Goro jep dorëheqjen

Ministri kritikoi më tej mandatin e zgjatur të kryebashkiakut të dështuar të Himarës, Jorgo Goro, i cili mbajti postin me autoritet të plotë gati një vit pas zgjedhjeve lokale. Ai e përshkroi këtë situatë si “një fyerje për çdo koncept të shtetit të së drejtës evropiane”.

Mediat shqiptare raportuan të mërkurën se Goro kishte dhënë dorëheqjen nga detyrat e tij një ditë pasi Gjykata e vendit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhëroi ndalimin e tij për një kohëzgjatje të papërcaktuar pas arrestimit të tij me akuzën për shpërdorim të dyshuar të detyrës.

Continue Reading

Rajon

Marsi muaji më i nxehtë në njëzet vjet, në Kretë temperatura arriti sot 32 °C

Temperaturat e ditës së sotme janë më të lartat e regjistruara në të paktën njëzet vitet e fundit në shumicën e qarqeve të Greqisë për muajin mars. Në Gazi termometri ka kaluar rekordin e 31 marsit 2009 që ishte 25 gradë, duke arritur në 25.3 gradë. Në Kretë temperatura në shumë zona kaloi 30, por edhe 32 gradë.

Siç theksoi teksa foli për protothema.gr , drejtori i kërkimeve në Observatorin e Athinës, Kostas Lagouvardos, këto janë temperatura që arrijnë apo edhe tejkalojnë rekordet e muajit mars. Madje, duke qenë se tre ditët e fundit të muajit pritet të kenë temperatura mbi normalen për sezonin, temperatura mesatare e muajit do të rritet edhe më shumë.

“Nga korriku e në vazhdim regjistrohen muaj më të nxehtë se mesatarja normale”, me përjashtim të zonave në Greqinë Veriore ku termometri sot nuk i ka kaluar vlerat mesatare normale për sezonin, në pjesën tjetër të zonave, nxehtësia ishte jonormale. Si sot ashtu edhe nesër kushtet favorizojnë pluhurin nga Afrika, ndaj atmosfera do të mbetet përvëluese, ndërsa pas një rënie të lehtë të temperaturës gjatë fundjavës, të dhënat e deritanishme tregojnë se në fillim të javës së ardhshme do të kemi një tjetër ndërhyrje të ngrohtë me rritje të re në temperaturë.

Sa i përket temperaturave më të larta, sipas meteo, termomentri arriti pikën më të lartë në Alikianos Chania e cila tregoi 32.6 gradë, ndërsa në qendër të Chania 32.5 gradë.

Continue Reading

Rajon

Çfarë ndodhi? Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shpallet i vdekur në Serbi

Një lajm i rremë mbi vdekjen e Kryeministrit Vuçiç ka qarkulluar ditën e djeshme në Serbi nga persona të paidentifikuar në Facebook.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd ka urdhëruar identifikimin urgjent të personave që krijuan njoftimin e rremë për vdekjen e presidentit të Serbisë.

Departamenti i krimeve të teknologjisë së lartë po heton mbi identifikimin e personave që kanë shpërndarë këtë njoftim në mediat sociale. Kryeprokurori Nenad Stefanoviç tha:

Këto veprime përbëjnë vepër penale që ndiqet sipas procedurave zyrtare dhe duhet të sanksionohet në përputhje me ligjin”.

Më 26 mars, qeveria dënoi publikimin e “çertifikatës së rreme të vdekjes me imazhin e Presidentit të Serbisë, e cila u shpërnda në Facebook.

Në lidhje me fotografinë ka reaguar edhe zyrtarja e Partisë Progresive Serbe (SNS) Ana Brnabić.

Ajo tha se organet kompetente po bëjnë punën e tyre pasi njoftimi i vdekjes nuk është “as shaka, as argëtim”, por shqetësuese dhe paraqet “kërcënim të qartë për jetën e presidentit”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING