Bota
NEGOCIATAT/ TEHERANI DYSHON PER KURTH
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se do të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në Pakistan për një raund të ri bisedimesh me Iranin, në përpjekje për të arritur një marrëveshje para skadimit të armëpushimit.
Delegacioni amerikan pritet të drejtohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, së bashku me të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët pritet të mbërrijnë në Islamabad për negociata.
Trump u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke deklaruar se “koncepti i saj është i përfunduar” dhe se ka “shanse shumë të mira” për finalizim.
Megjithatë, nga ana tjetër, Irani nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedime dhe ka shprehur dyshime të forta për qëllimet e Washingtonit. Zyrtarë iranianë kanë lënë të kuptohet se nisma amerikane mund të jetë një mbulim për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve mohoi se negociatat janë planifikuar, duke akuzuar administratën amerikane për kërkesa “të paarsyeshme”, ndryshime të shpeshta pozicionesh dhe kontradikta të vazhdueshme.
Tensionet janë rritur më tej pas sulmeve të Iranit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, pasi Teherani njoftoi mbylljen e saj, duke e cilësuar si përgjigje ndaj bllokadës amerikane dhe qëndrimeve të reja të Washingtonit.
Në reagimin e tij, Trump paralajmëroi Iranin me pasoja të rënda nëse nuk pranon marrëveshjen, duke kërcënuar me goditje ndaj infrastrukturës energjetike dhe urave në vend.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa negociatat nëse zhvillohen mund të përfaqësojnë një mundësi të fundit për të zgjatur armëpushimin ose për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit.