✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

DY KARDIOLOGE NE DY VENDE TE SEMURA NGA ZEMRA

Ilija Srdanović në Serbi dhe Sali Berisha në Shqipëri: njëri u shfaq në krye të një lëvizjeje të lindur nga protestat, tjetri vazhdon të udhëheqë opozitën në një përballje të ashpër me Edi Ramën, teksa Tirana përballet me protesta dhe përplasje. Tani pyetja nuk është vetëm kush do ta fitojë betejën politike, por kush mund të ndryshojë mënyrën se si qeverisen vendet.

Ka momente kur një vend nuk proteston thjesht kundër një qeverie. Proteston kundër një mënyre të të bërit politikë. Kundër një sistemi që duket sikur i ka mbyllur dyert për njerëzit, kundër institucioneve që nuk japin përgjigje dhe kundër një të ardhmeje që vazhdon të shtyhet për nesër.

Serbia sapo dha një shembull ndryshimi kurse Shqipëria po përballet me një situatë të ngjashme, por me personazhe dhe rrethana krejt të ndryshme.

Në njërën anë është Ilija Srdanović, kardiologu nga Novi Sadi që u vu në krye të listës studentore, e lindur nga protestat kundër korrupsionit dhe kërkesave për përgjegjësi pas tragjedisë së stacionit hekurudhor.

Në anën tjetër është Sali Berisha, gjithashtu mjek kardiolog, një figurë që ka kaluar pothuajse të gjitha fazat e politikës shqiptare pas rënies së komunizmit: president, kryeministër, kryetar opozite dhe sërish kandidat për rikthim në pushtet.

Dy kardiologë. Dy vende. Dy histori politike. Por edhe dy mënyra të ndryshme për të menduar se si mund të ndryshojë një vend.

Në Serbi, zemërimi qytetar mori hov pas 1 nëntorit 2024, kur shembja e një pjese të konstruksionit të stacionit hekurudhor në Novi Sad vrau 16 njerëz. Tragjedia u shndërrua në simbol të kërkesave për transparencë, përgjegjësi dhe luftë kundër korrupsionit.

Studentët organizuan bllokada, marshime dhe një lëvizje që kapërceu muret e universiteteve. Më pas, kjo energji u përkthye në një alternativë zgjedhore.

Srdanović nuk u shfaq si një figurë e shkëputur nga kjo histori. Ai erdhi në krye të listës studentore pas mbështetjes publike për protestat. Profesioni i tij si mjek nuk e bëri automatikisht politikan të mirë, por i dha lëvizjes një figurë me identitet profesional, në një moment kur studentët kërkonin të sfidonin klasën politike ekzistuese.

Në Shqipëri, protestat e ditëve të fundit kanë sjellë një pamje tjetër. Përplasjet në Tiranë, sulmet ndaj objekteve publike dhe përballjet me policinë janë shoqëruar me kërkesa për largimin e Edi Ramës.

Qeveria ka paralajmëruar masa më të ashpra ndaj protestave të dhunshme, ndërsa kryeministri ka refuzuar kërkesën për dorëheqje të imponuar përmes dhunës.

Në këtë klimë, Sali Berisha vazhdon të jetë figura qendrore e mobilizimit opozitar. Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj janë pjesë e përballjes në rrugë, ndërsa Berisha kërkon ta kthejë pakënaqësinë ndaj qeverisë në mbështetje personale politike.

Tani pyetja është nëse energjia e protestës shqiptare do të prodhojë një alternativë të re, apo do të mbetet brenda përplasjes së njohur mes Ramës dhe Berishës.

Sali Berisha për një pjesë të shqiptarëve, përfaqëson rezistencën kurse për të tjerë, ai mishëron vazhdimësinë e një elite politike që nuk po arrin të krijojë hapësirë të mjaftueshme për brezat e rinj.

Edhe e kaluara e tij mbetet pjesë e debatit publik. Më 19 maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë të papërshtatshëm për hyrje në SHBA, duke e lidhur vendimin me akuza për korrupsion.

Por çështja politike që ngrihet sot shkon përtej një vendimi amerikan apo një përplasjeje me qeverinë.

A mund të ndërtojë opozita një alternativë të besueshme për të ardhmen, nëse vazhdon të mbështetet kryesisht te një figurë që e ka ushtruar pushtetin dhe ka drejtuar opozitën për dekada?

METAFORA E DY KARDIOLOGEVE

Ilija Srdanović u bë figura e një lëvizjeje që kërkoi të përkthente protestën në një projekt të ri politik. Sali Berisha mbetet figura kryesore e një opozite që kërkon të rrëzojë një qeveri të konsoliduar.

Të dy janë mjekë të zemrës, por asnjë diplomë mjekësie nuk garanton aftësinë për të shëruar një sistem politik. Një vend nuk shërohet vetëm duke ndryshuar emrin e kryeministrit. Shërohet kur institucionet funksionojnë, kur drejtësia nuk varet nga pushteti, kur korrupsioni hetohet dhe kur qytetari nuk ka nevojë të jetë pranë një partie për të pasur të drejtat e tij.

Serbia ka hyrë në një fazë të re pas fitores së raportuar të listës studentore. Tani ajo duhet të provojë se mund ta shndërrojë mandatin elektoral në ndryshim institucional.

Shqipëria, ndërkaq, përballet me një dilemë që nuk mund të zgjidhet vetëm përmes përplasjes Rama–Berisha.

Po a mund të lindë në Shqipëri një alternativë përtej ketyre te dyve?

Rasti serb ngre mundësinë që një lëvizje e lindur nga pakënaqësia qytetare të krijojë një alternativë jashtë strukturave tradicionale.

Tani pyetja nuk është se cili nga dy kardiologët do të ketë recetën e duhur për vendin e tij.

Ndoshta shenja e parë e këtij ndryshimi do të jetë dita kur një brez i ri shqiptarësh nuk do të duhet të zgjedhë mes dy figurave të së kaluarës për të besuar se mund të ketë një të ardhme tjetër.

Advertisement