Kronike
E plagosi me plumb në këmbë, identifikohet autori, i plagosuri me origjinë nga Kosova
Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 25 shtator në rrugën “Hysni Gërbolli”, ndërsa hetimet kanë zbardhur edhe përfshirjen e personave të tjerë në konflikt.
Sipas policisë, gjatë një konflikti të nisur në një lokal, shtetasi S. P., 54 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë shtetasin Gj. K., 33 vjeç. Pas ngjarjes, 54-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është shpallur në kërkim.
Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 54-vjeçarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu, një mjet prerës dhe municion luftarak, të cilat janë administruar si prova materiale.
Ndërkohë, gjatë verifikimeve për personat e përfshirë në ngjarje, ka rezultuar se 33-vjeçari Gj. K. ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës. Ndaj tij është ekzekutuar arrestimi me qëllim ekstradimi, pasi Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 50 ditë burgim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Hetimet kanë zbardhur gjithashtu një konflikt të dytë me sende të forta, të lidhur me personat e përfshirë në ngjarje. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin S. T., 20 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Sipas policisë, 20-vjeçari dyshohet se ka dëmtuar shtetasin A. P., 18 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, të dyshuar se kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin S. T.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. P., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe disa fishekë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.