Bota
Europol shkatërron 25 banda të kontrabandës së ilaçeve, arrestohen 667 persona
Europol ka arrestuar 667 persona dhe sekuestruar sasi të mëdha ilaçesh me vlerën 73 milionë euro, në atë që konsiderohet një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut të paligjshëm të Ilaçeve. Europol ka zbuluar 25 banda kriminale gjatë bastisjeve që synonin trafikun e paligjshëm të ilaçeve dhe substancave doping, në Holandë.
“ Pothuajse 700 persona u arrestuan gjatë operacionit në të gjithë Evropën dhe u sekuestruan sasi të mëdha ilaçesh me vlerë rreth 73 milionë euro (88 milionë dollarë)”, tha agjencia evropiane e patrullimit dhe antikrimit.
Në deklaratën e tyre ata u shprehën se gjithmonë kriminelët nuk kanë probleme në abuzimin me frikën e njerëzve. Kriminelët kërkojnë mundësi të reja për të siguruar fitim dhe kjo është gjithmonë mbi kurrizin e qytetarëve.
Ata sekuestruan sasi të mëdha të ilaçeve kundër kancerit, substancave të ndryshme doping (rregullatorë të hormoneve dhe metabolizmit), qetësues të dhimbjeve, antiestrogjene, antiviralë, hipnotikë, antihistaminë dhe anksiolitikë. Po ashtu gjatë operacionit u mbyllën edhe dhjetë laboratorë klandestinë dhe mbi 450 faqe në internet, që ofronin ilaçe.
Operacioni u drejtua nga Finlanda, Franca, Greqia dhe Italia dhe përfshiu autoritetet e zbatimit të ligjit nga 27 vende, 19 Shtete Anëtare të BE dhe 8 vende të palëve të treta pjesë e të cilave ishte edhe Shqipëria, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Instituti i Sigurisë Farmaceutike dhe sektori privat. Operacioni u zhvillua midis marsit dhe shtatorit 2020.
Trafikimi i ilaçeve është një çështje në rritje në të gjithë globin. Keqpërdorimi i ilaçeve jashtë përdorimit është bërë e zakonshme. Konsumatorët u drejtohen këtyre ilaçeve për arsye të ndryshme dhe i konsumojnë ato pa receta mjekësore. Përveç ilaçeve origjinale të rishitura ose të shitura jashtë një kuadri mjekësor, një shqetësim tjetër i madh janë produktet e falsifikuara. Produktet e rreme antivirale, testet e paautorizuara COVID-19 dhe pajisjet mjekësore si maska për fytyrën dhe mjete pastruese mund ta ekspozojnë publikun ndaj rreziqeve të larta shëndetësore.