✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Gjykata liron 22 protestues, 17 arrestime shpallen të paligjshme

Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 22 protestuesve të arrestuar gjatë tubimeve të shoqëruara me tensione në kryeqytet. Sipas vendimeve të gjykatës, për 17 prej tyre është konstatuar i paligjshëm arrestimi në flagrancë, duke u urdhëruar lirimi dhe mosvendosja e masave të sigurisë.

Prokuroria kishte paraqitur kërkesa për personat e arrestuar, të dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës. Gjykata shqyrtoi rastet dhe mori vendime të ndryshme në varësi të rrethanave të secilit person.

Për disa nga protestuesit e tjerë, gjykata caktoi masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, pavarësisht nëse arrestimi ishte vlerësuar i ligjshëm apo i paligjshëm. Në total, 22 persona janë liruar nga burgu, ndërsa procedurat për veprat për të cilat dyshohen vijojnë sipas vendimeve përkatëse

Njoftimi

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë lidhur me personat e arrestuar, të dyshuar për vepra penale që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme, kundërshtimin e punonjësve të policisë së rendit publik dhe, në disa raste, shkatërrimin e pronës.

Sipas vendimeve të paraqitura, për personat A. R., A. B., D. L., G. B., A. L., Y. I., Rr. Ç. dhe A. S., gjykata ka konstatuar të paligjshëm arrestimin në flagrancë, ka rrëzuar kërkesat për caktimin e masave të sigurisë dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Të njëjtin vendim gjykata ka marrë edhe për personin L. M., si dhe për disa të tjerë të përfshirë në një vendim të veçantë, mes tyre A. B., F. L., Dh. H., B. T. dhe K. P. Për këta persona është vendosur moscaktimi i masave të sigurisë dhe lirimi i menjëhershëm, nëse nuk ka arsye të tjera ligjore për mbajtjen e tyre.

Ndërkohë, për personat T. T. dhe F. M., arrestimi në flagrancë është vlerësuar i ligjshëm, por gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Ata duhet të paraqiten në Prokurorinë pranë Gjykatës së Tiranës të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.

Në një vendim tjetër, e njëjta masë sigurimi është caktuar edhe për shtetasit M. M., L. S. dhe E. G., të cilët duhet të paraqiten të hënën e tretë të çdo muaji, në orën 10:00, pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të seksionit përkatës të Prokurorisë së Tiranës.

Për shtetasin D. D., gjykata ka konstatuar të paligjshëm arrestimin, por ka caktuar gjithashtu detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore. Ndërsa për shtetasin E. B., të dyshuar për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik, arrestimi është vlerësuar i paligjshëm dhe nuk është caktuar asnjë masë sigurimi.

Advertisement