Politike
GJYQI PËR VELIAJN, VANGJELI: DUHET TË LËRË QELINË DHE TË KTHEHET NË ZYRË
Masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj ka rikthyer debatin publik, ndërsa analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar se, sipas interpretimit të tij, në një Shqipëri europiane vendimi duhet të çojë në lirimin e Veliajt nga qelia dhe rikthimin e tij në detyrë.
Duke folur në emisionin “TopStory”, Vangjeli theksoi se në këtë fazë gjykata shqyrton vetëm masën e sigurisë dhe jo themelin e çështjes penale.
“Në një Shqipëri europiane vendimi i gjykatës është i qartë: kryetari i bashkisë duhet të lërë qelinë dhe të shkojë në zyrë”, u shpreh ai.
Analisti kritikoi atë që e cilësoi si ngatërrim mes masës së sigurisë dhe vendimit përfundimtar të çështjes.
Sipas Vangjelit, kundërshtimi i ndryshimit të masës duke argumentuar se Veliaj duhet të qëndrojë në burg nënkupton përzierjen e dy proceseve të ndryshme.
“Bëhet fjalë vetëm për masën e sigurisë”, tha Vangjeli, duke shtuar se Veliaj, sipas tij, “e ka marrë burgun paradhënie”.
Ndërkohë, vendimi i gjykatës për masën e sigurisë pritet të përcaktojë edhe vijimësinë e situatës së kryebashkiakut.