Connect with us

Aktualitet

Goxhaj: Irani kërcënoi me test bërthamor, SHBA u detyrua të tërhiqet

Eksperti ushtarak zbulon mesazhin me tre pika që Teherani i dërgoi Uashingtonit përmes Pakistanit: “Pika më e rëndësishme ishte shpërthimi demonstrativ i një koke bërthamore në territorin iranian.”

Eksperti ushtarak Dritan Goxhaj deklaroi në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV se pas tensioneve të fundit mes SHBA-së dhe Iranit, Teherani ka dërguar një mesazh të ashpër drejt Uashingtonit, ku përfshihej edhe paralajmërimi për një test bërthamor demonstrativ.

Sipas Goxhajt, pas shkëmbimeve të zjarrit mes forcave amerikane dhe iraniane, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Iranit zhvilloi një mbledhje urgjente dhe miratoi një mesazh me tre pika, i cili u transmetua përmes Pakistanit.
“Pika e tretë dhe më e rëndësishmja ishte shpërthimi i një koke bërthamore në tokën iraniane, jo si armë lufte, por si demonstrim i kapaciteteve sovrane dhe teknologjike të Iranit”, u shpreh ai.

Goxhaj tha se dy pikat e tjera përfshinin ndërprerjen e përshkallëzimit ushtarak në të gjitha frontet dhe largimin e Iranit nga traktati ndërkombëtar për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Sipas tij, ky paralajmërim ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi administratën amerikane dhe aleatët e saj, duke ndikuar në frenimin e mëtejshëm të përshkallëzimit të konfliktit në rajon.

“Mesazhi ishte i qartë: nëse presioni vazhdon, Irani është gati të demonstrojë publikisht kapacitetet e tij bërthamore”, theksoi Goxhaj.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku çdo sinjal që lidhet me programin bërthamor iranian konsiderohet me ndikim të madh në sigurinë rajonale dhe globale.

Advertisement