Kronike
Po dërgonte vajzën në shkollë, kamioni përplas për vdekje 42-vjeçaren shqiptare
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në San Donà di Piave, në provincën e Venecias, Itali, ku një 42-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën pasi u përplas nga një kamion.
Viktima, Lavdje Isteri, banuese në zonën e Passarellës, ishte duke shoqëruar vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë kur ndodhi aksidenti, pak para orës 08:00.
Sipas rindërtimit paraprak, nëna dhe vajza po ecnin së bashku kur pranë tyre mbërriti një kamion i kompanisë Veritas. Gjatë një kthese majtas, për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar, kamioni përplasi 42-vjeçaren.
Gruaja humbi jetën në vendngjarje. Vajza e saj, e cila ndodhej pranë saj në momentin e përplasjes, nuk pësoi dëmtime fizike të rënda, por për shkak të tronditjes psikologjike u transportua në spital, ku mori edhe mbështetje nga psikologët.
Në vendngjarje mbërritën policia lokale dhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e trupit të viktimës që kishte mbetur poshtë kamionit. Në vendngjarje ishte edhe kryetari i bashkisë së San Donà di Piave, Alberto Teso.
Drejtuesi i kamionit, i tronditur nga ngjarja, u transportua gjithashtu në urgjencë për kontroll mjekësor.
Policia lokale po heton rrethanat e aksidentit dhe po verifikon trajektoren e kamionit, pozicionin e viktimës dhe vajzës së saj, si dhe elementet e tjera që mund të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së përplasjes.
Për ngjarjen pritet të zhvillohet edhe procedura gjyqësore përkatëse, ndërsa provat e mbledhura në vendngjarje do t’i kalojnë prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme.