Bota
MACRON NË ALARM: Rusia po shton sulmet hibride ndaj Evropës
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar për forcimin e masave evropiane ndaj kërcënimeve hibride dhe ka kërkuar përshpejtimin e masave për sigurinë energjetike në Bashkimin Evropian.
Pas një takimi me drejtuesit e partive politike në Francë, Macron deklaroi se do t’i kërkojë Komisionit Evropian të përshpejtojë masat për ruajtjen e gazit natyror në nivel evropian. Sipas tij, rritja e çmimeve të energjisë lidhet me zhvillimet e luftës dhe ndërprerjet në furnizimin energjetik.
Macron tha se situata është ndikuar edhe nga dëmtimi i infrastrukturës energjetike në Rusi dhe Ukrainë dhe paralajmëroi se çmimet e energjisë nuk pritet të ndryshojnë ndjeshëm në javët e ardhshme.
Në fokus të deklaratave të tij ishin edhe kërcënimet hibride që, sipas presidentit francez, Rusia po drejton ndaj Francës dhe vendeve të tjera evropiane. Macron bëri të ditur se i ka kërkuar qeverisë franceze të hartojë një plan për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Presidenti francez tha se veprime të tilla nuk duhet të mbeten pa përgjigje dhe argumentoi se objektivi i sulmeve hibride është të krijojnë pasiguri në shoqëritë evropiane dhe të dobësojnë mbështetjen për Ukrainën. Ai shtoi se, sipas tij, këto përpjekje mund të prodhojnë efekt të kundërt.