Aktualitet
SPAK “merr në dorë” pagat e magjistratave/ Shefja e Thesarit: Rrogat i bllokoi Malaj…
SPAK ka nisur verifikimet lidhur me bllokimin e pagave të magjistratëve për muajin gusht 2026, ndërsa në kuadër të hetimit është marrë në pyetje përgjegjësja e Thesarit Tiranë, Elmira Peto. Sipas raportimeve, ajo është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni dhe ka deklaruar se nga ana e saj pagesat ishin kryer dhe se nuk kishte kryer shkelje ligjore.
Sipas dëshmisë së raportuar, listëpagesat për gjyqtarët, prokurorët dhe administratën civile ishin përpunuar në sistemin e Thesarit, por nuk kishin kaluar në llogaritë bankare të një pjese të madhe të punonjësve. Në kuadër të hetimit, SPAK po verifikon zinxhirin e vendimmarrjes dhe dokumentacionin që lidhet me bllokimin e pagesave.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gentian Këri, është marrë gjithashtu në pyetje. Sipas versionit të tij të raportuar në media, pagesat u bllokuan për shkak të mbërritjes së projektligjit që synonte zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Sipas këtij shpjegimi, pagesat do të vijonin pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Përplasja për pagat kishte nisur pasi, pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, KLGJ dhe KLP miratuan formulën e re të pagës referuese për magjistratët. Pagesat për pjesën dërrmuese të sistemit të drejtësisë nuk u ekzekutuan, çka solli kallëzimin në SPAK ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm dhe drejtuesve të degëve të Thesarit. Kallëzuesit pretendojnë, ndër të tjera, shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi gjatë orëve të para të 18 shtatorit projektligjin për ndryshimin e formulës së pagave të magjistratëve, me 84 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim.
SPAK po vijon mbledhjen e dokumentacionit dhe marrjen në pyetje të personave që kanë pasur rol ose dijeni mbi procedurën e pagesave. Hetimi pritet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje ligjore në procesin e bllokimit të pagave.