Connect with us

Kosova

Hoti mohon të ketë dhënë dorëheqje, kërkon marrëveshje për presidentin ose zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se partitë parlamentare i kanë dy opsione: të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve.

Përmes një komunikate për media, nga zyra e kryeministrit, thuhet se “informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen e kryeministrit janë të pavërteta”.

“Kryeministri Hoti ka dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime, arritja e marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Në Kosovë brenda disa muajsh duhet të zgjedhet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar.

Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e dakordimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Më 24 nëntor, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk janë opsion.

Deri më tash, vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur hapur synimin për t’u bërë president i vendit, por ai nuk është mbështetur nga LDK-ja.

AAK-ja ka thënë në vazhdimësi se nëse kandidati i tyre nuk zgjidhet president, atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Për zgjedhjen e presidentit duhen 80 vota të deputetëve të Kuvendit dhe koalicioni qeverisës nuk e ka këtë shumicë.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *