Thinking ...
Connect with us

Politike

“Jakup Krasniqi të vdesë në burg?”/ Elisa Spiropali e përlotur për vendimin e Hagës

Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, kërkoi në Kuvend një angazhim më të madh institucional të Shqipërisë dhe Kosovës për mbështetjen ligjore të ish-luftëtarëve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

Pak para deklaratës zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Spiropali u bëri thirrje si mazhorancës, ashtu edhe opozitës, që të kontribuojnë në krijimin e fondeve për mbrojtjen ligjore të të akuzuarve.

Spiropali tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të parashikojnë fonde të posaçme për këtë qëllim dhe të kenë një qëndrim të koordinuar politik lidhur me debatin historik që ka shoqëruar luftën në Kosovë.

Duke iu referuar një vizite të saj në Hagë, Spiropali tha se kishte takuar personat që po përballen me proceset gjyqësore dhe se familjet e tyre po përballen me kosto të konsiderueshme financiare për mbrojtjen ligjore.

“Duhet të ketë edhe në qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës, edhe këtu në Kuvend, dy zëra financiarë që ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve në Hagë”, deklaroi ajo.

Spiropali u ndal edhe te mënyra se si, sipas saj, vendimi dhe arsyetimi i gjykatës mund të ndikojnë në interpretimin e historisë së luftës së Kosovës. Ajo theksoi se përgjegjësia penale e individëve duhet të ndahet nga interpretimi historik i konfliktit, duke shtuar se çështjet juridike mund të vijojnë të shqyrtohen në apel.

Deputetja socialiste kërkoi gjithashtu një qëndrim më të unifikuar të politikës shqiptare për çështjet që lidhen me luftën e Kosovës dhe me mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Në fjalën e saj, Spiropali krahasoi mënyrën se si, sipas saj, trajtohen në opinionin publik persona të dënuar për krime lufte në raste të tjera me trajtimin e ish-drejtuesve të UÇK-së. Ajo ngriti gjithashtu pretendime lidhur me dëshmitë dhe mënyrën e trajtimit të përgjegjësive për krimet gjatë luftës.

Deklaratat e Spiropalit u bënë në një seancë ku Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë të përbashkët pas vendimit të Hagës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Vendimi i shkallës së parë ka sjellë reagime të shumta politike në Shqipëri, Kosovë dhe në diasporë.

Advertisement